Shqiptari që u “fut” në parlamentin grek, SYRIZA e nxori nga qelia, grabiti bankën dhe qëlloi policët

schedule17:12 - 4 Qershor, 2021

schedule 17:12 - 4 Qershor, 2021

Krimet e fundit në Greqi, mes të cilave edhe një ekzekutim mafioz i një shqiptari, Aris Papas në një kafene në qendër të Athinës ka rikthyer në parlament debatin mbi sigurinë. Ministri i Mbrojtjes Civile Michalis Chrysochoidis për situatën e kriminalitetit në vendin fqinj akuzoi qeverinë e majtë të SYRIZA-s që ishte në pushtet, pasi sipas tij ligji i njohur si “Paraskevopoulos” që miratoi liroi kriminelët nga qelitë. Sipas ministrit kriminelët që u liruan nga burgu duke përfituar nga ky ligj ishin 117.

Mes të cilëve, ministri mori një shembull konkret që lidhet me një shqiptar. Por cfarë kishte në thelb ky ligj? Ligji me synimin për të lehtësuar mbipopullimin në burgje u dha liri të parakohshme të dënuarve me probleme shëndetësore.

Por cili ishte rasti i shqiptarit që mori shembull? Bëhet fjalë për Neri Mustën i cili u dënua me 14.5 vite burg, por bëri vetëm 4.5 vite dhe doli nga qelia duke përfituar nga ligji që miratoi qeveria e Tsipras. Shqiptari u arrestua në vitin 2015 si bashkëpunëtor në dy vrasje së bashku me Mondi Bajramin, mbi të cilin rëndonin edhe vrasje të tjera. Por më 12 korrik 2019 Musta u la i lirë.

Rritjen e kriminalitetit ministri grek e ilustroi pikërisht me atë që bëri shqiptari 20 ditë pasi u lirua nga burgu. Më 5 gusht 2019, vetëm 20 ditë pas lirimit Musta mori pjesë në një grabitje banke në Parga. Prokurori i Prevezës lëshon një urdhër për arrestimin e tij, por nuk u kap.

Goditja e tij e radhës do të ishte më 8 shkurt 2020, kur u organizua një operacion i madh policor  për të arrestuar tre kriminelë shqiptarë që kishin kryer grabitje në Kalamata, Parga dhe disa qytete të tjera të Greqisë. Policia u përpoq ti bllokonte në Korint, por kur kuptuan se u rrethuan, shqiptarët nxorën armët duke qëlluar në drejtim të policisë.

Policia u përgjigj me zjarr dhe në fund dy nga kriminelët u plagosën. Njëri prej tyre u transportua në spitalin e Korintit dhe tjetri në Thriasio. Por nga kjo ndjekje, vetëm njëri shpëtoi dhe ende është i lirë, pikërisht Neri Musta, për të cilin ka dy urdhër arreste./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!