Një shqiptar në zemër të Lojërave Olimpike Dimërore 2026. Një artist i “La Scala”. Një moment që po bën xhiron e rrjeteve dhe po mbush me krenari publikun shqiptar.
Në një lidhje direkte nga Italia për ABC e Mëngjesit, bass-i shqiptar i “La Scala”, Xhieldo Hyseni, ka rrëfyer emocionet e jashtëzakonshme të mbajtjes së flakës olimpike në Cortina 2026, një moment që ai vetë e përshkruan si realizimin e një ëndrre të kahershme.
“Ky ishte një moment që përfaqëson ëndrra, përkushtim dhe forcën që na bashkon,”- u shpreh ai, duke shtuar se përvoja do të mbetet ndër kujtimet më të forta të jetës së tij.
Përzgjedhja nuk ishte rastësi. Hyseni u zgjodh nga Akademia prestigjioze e “La Scala”, ndërsa fakti që ishte ndër më me eksperiencë në grup bëri që nderi t’i besohej pikërisht atij. Ai parakaloi 200 metra me flakën olimpike deri pranë “La Scala”, një distancë që për të simbolizon vite pune, sakrifice dhe besimi te vetja.
Prej dy vitesh, artisti shqiptar jeton në Itali pasi fitoi Akademinë e “La Scala”, ku specializimi është ekskluzivisht në kanto dhe ku vetëm artistët me rezultate të larta mund të sigurojnë kontrata profesionale. Në këtë teatër prestigjioz, pagesa lidhet drejtpërdrejt me numrin e shfaqjeve, një sfidë që kërkon nivel maksimal profesionalizmi.
Edhe pse është fokusuar te muzika klasike, ai nuk e ka shkëputur lidhjen me muzikën e lehtë dhe grupin “Alar Band”, duke theksuar se raporti njerëzor dhe artistik vazhdon të mbetet i fortë.
Sa i përket së ardhmes, Hyseni nuk përjashton kthimin në Shqipëri. Ai shprehet se nuk ka shkuar në Itali me idenë për të mos u kthyer më, por do të vlerësojë projektet që do t’i ofrohen.
Në qershor, ai pritet të jetë pjesë e operës “Carmen” në “La Scala”, ndërsa paralelisht do të jetë edhe në shfaqjen “Love Español”. Në Shqipëri, dalja e fundit në skenë ishte me operën “Aida”, duke dëshmuar lidhjen e fortë me publikun shqiptar.


