ELIS BAKAJ NIS KAMPIONATIN NE BJELLORUSI, VENDI I VETEM QE LUAN FUTBOLL PAVARESISHT KORONAVIRUSIT
Elis Bakaj është i vetmi lojtar shqiptar që vazhdon të luajë normalisht, edhe në periudhën e epidemisë botërore. Bakaj ishte titullar për Dinamon e Brestit në javën e parë të Premier Ligës së Bjellorusisë. Ndoshta nuk e dinte se ndodhej në një vend që nuk dëshiron ta ndalojë futbollin në çfarëdo rrethane…
Elis Bakaj prej dy muajsh është pjesë e Dinamos së Brestit, një vazhdim karriere në Bjellorusi dhe lojtari shqiptar, doli në fushë një ditë më parë, pavarësisht nga rreziku i koronavirusit. Në republikën ish-sovjetike, nisi sezoni i ri i Premier Ligës dhe në javën e parë, Dinamo e Brestit pati të ftuar ekipin e Smoleviçit.
Stadiumi me kapacitet mbi 10000 spektatorë, nuk ishte plot, por gjithsesi gjithçka nisi normalisht, me mijëra tifozë në tribuna dhe me vendimin e Federatës për të luajtur, nxitur nga qwndrimi i presidentit Lukashenko.
Bakaj ishte titullar në ekipin e tij të ri dhe u dallua mjaft, ndonëse në fund u detyrua të kënaqej me barazimin. Ai u vlerësua si një nga lojtarët më të mirë në fushë, duke këmbëngulur nga fillimi deri në fund, e duke qenë rrezik i vazhdueshëm për portën kundërshtare.
Smoleviçi kaloi i pari në avantazh, kur Vladislav Muhamedov shënoi në minutën e 55-të, pra në nisje të pjesës së dytë. Bakaj ndihmoi Dinamon në golin e barazimit, pasi ishte ai që ekzekutoi goditjen e këndit që solli goditjen me kokë nga Kiki. Pavarësisht presionit të madh të vendasve në minutat e fundit, rezultati nuk ndryshoi.
Nuk dihet nëse Premier Liga bjelloruse do të vazhdojë, pavarësisht koronavirusit, por dihet që Dinamo e Brestit, ekipi i Bakajt, është një nga pretendentët për titullin kampion këtë sezon./abcnews.al


