Thirrje anti-shqiptare kanë trazuar opinionin në Maqedoni duke prishur qetësinë. Sjellja grupit të tifozëve të njohur si “Komitat” ka shkaktuar debat dhe reagime në vendin fqinj. Por për situatën e krijuar është bërë i famshëm edhe një shqiptar.
Bëhet fjalë për Adnan Abdullën. Në momentin që tifozët vërshuan me thirrje kundër shqiptarëve “Shqiptari i mirë është vetëm shqiptari i vdekur”, Adnan Abdulla i hipur mbi një motor Harley dhe me flamurin kuqezi ndaloi përballë grupit të të rinjve duke u përballuar sy më sy ç’ka bëri që të ndalnin korin dhe të largoheshin. Adnani nga Shkupi ka një mesazh për politikën pas rastit duke bërë një sqarim.
“Unë Adnan Abdulla dua edhe një herë të sqaroj opinionin se rasti me grupin e tifozëve të futbollit që bënin thirrje nacionaliste në lagjen Gjorce Petrov kur unë isha duke kaluar si dasmor në ato momente, nuk ka të bëjë aspak me incident apo me ndonjë konflikt eventual, personalisht kam ndërhyrë vetëm që të parandalojë një situatë më dramatike e cila ka pasur mundësi të ndodhë duke ditur se aty kalonin dasmorë ku kishte gra dhe fëmijë me një qëllim të vetëm njerëzor që ti largoj dhe parandalojë ndonjë situatë të palakmueshme.
Ju bëj thirrje të gjitha partive politike dhe mediave elektronike që të kenë kujdes dhe të mos keqpërdorin emrin tim lidhur me ngjarjet në Lagjen Petrov sepse veprim i imi ka qenë human dhe njerëzor dhe nuk ka kurrfarë motive tjera. Gjithashtu ju bëj thirrje organeve kompetente që janë përgegjese per mbajtjen e rendit publik që të ndërmarrin masa në parandalimin e situatave të këtillë në të ardhmen sepse të gjithë në jemi qytetarë të këtij vendi dhe bashkëjetesa në këtë shtet është i patjetërsueshëm” shkruan ai. db/Abcnews.al