Shqiptarët të parët në botë për konsumin e kokainës

schedule21:11 - 19 Tetor, 2017

schedule 21:11 - 19 Tetor, 2017

Shqiptarët renditen ndër popujt më të varfër të Europës, por janë konsumatorët më të mëdhenj Kokainës, një prej drogave më të shtrenjta në Botë. Konstatimi është i Zyrës për Krimin dhe Drogën pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Shqiptarët renditen ndër popujt më të varfër në Europë, por janë konsumatorët më të mëdhenj në botë për një prej drogave më të shtrenjta si Kokaina. Sipas statistikave të zyrës për Krimin dhe Drogën pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 2.5% e popullsisë shqiptare janë konsumatorë të rregullt të kokainës.
Në raportin më të fundit të zyrës së OKB-së, Shqipëria renditet e para në botë për konsumin e kokainës në raport me popullsinë. Raporti përmend statistika të vitit 2014, të grumbulluara nga institucionet e shëndetit publik, që i referohen konsumit të kokainës për grupmoshat nga 16 deri 64 vjeç.
Shqipëria renditet në krye të 20 shteteve me konsumin më të lartë të kokainës, shumica dërrmuese e të cilave janë vende të pasura. Vendi ynë ndiqet nga Skocia, Shtetet e Bashkuara, Spanja, Australia por edhe Holanda, Kanadaja, Italia, Franca, Izraeli e Luksemburgu.
Shqipëria le pas edhe Kolumbinë, prodhuesin absolutisht më të madh të kokainës në shkallë globale. Shteti amerikano-latin që furnizon me drogë gjithë tregun amerikan e më gjerë, renditet në vendin e 34 në botë. Konsumin më të ulët të kokainës e kanë vendet afrikane dhe ato të Lindjes së Mesme.