“Shqiptarët nuk janë kriminelë”, pedagogu shqiptar: Komuniteti ynë, pre e paragjykimeve në Angli

schedule19:50 - 1 Prill, 2023

schedule 19:50 - 1 Prill, 2023

Pedagogu shqiptar, Andi Hoxhaj, në një intervistë për Abc News tha se komuniteti shqiptar në Britaninë e Madhe vazhdon të jetë pre e paragjykimeve. Gjatë intervistës me Jeta Kasemin, ai tha se nuk janë të pakta rastet kur shqiptarët që jetojnë atje cilësohen si pjesëtarë të grupeve kriminale.

Sa i përket përmirësimit të situatës, ai theksoi se duhen hapa konkrete mes dy vendeve.

“Për fat të keq në dy vitet e fundit, shqiptarët kanë vazhduar të etiketohen akoma më shumë si një nga problemet kryesore për sa i përket emigrimit. Duke parë vitin e kaluar që me gomone te vogla, shqiptarët ishin 1/3 e atyre që erdhën, kjo u kamuflua akoma më shumë. Nëse ne flasim për imazhin e shqiptarëve, nuk është në ditët e saj më të mira.”

Ai përmendi edhe rastin e një shqiptari që u arrestua nga policia britanike pasi ngatërruan çajin e malit me drogë.

“Kur u prononcua se 87 për qind e të miturve që kishin ikur nga hotelet e qeverisë ishin shtetas shqiptarë. Po të shikoje të gjithë artikujt në mediat britanike, nuk thuhej se shumica ishin me origjinë shqiptare. Por ama kur kishte histori me të kapur në një bandë, shikon që titulli ishte se banda dhe mafia shqiptare.

Edhe nëpër shkollat e fëmijëve, kemi dëgjuar raste që iu kanë thënë se ju i keni prindërit kriminelë apo që merren me drogë. Dhe kjo për fat të keq është për shkak të retorikës negative që i është bërë komunitetit shqiptar dhe lincimit në përgjithësi nëpër media.“, u shpreh pedagogu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!