Dod Ndreca së bashku me 4 anëtarët e familjes, bashkëshorten dhe 3 fëmijët, ka udhëtuar nga Lezha drejt kryeqytetit për të nderuar Papa Françeskun në Katedralen “Shën Pali”.
“Ne vijm nga qyteri i Lezhës, kemi ardhur këtu në Tiranë për tu lutur për shpirtin e Papës dhe për familjen. Kam ardhur me bashkëshorten dhe 3 vajzat. Ai ka dhënë kontributin e tij, ka predikuar paqen në botë”…..
Edhe në Shqipëri, besimtarët katolikë, por jo vetëm, i dhanë lamtumirën e fundit Atit të Shenjtë Papa Françesku. Në Katedralen “Shën Pali” në kryeqytet besimtarët ndezën qirnjë dhe u lutën për shpirtin e tij.
Të shumtë në numër, besimtarët drejtuan lutjet e tyre për shpirtin e Papa Françeskut, para fotografisë së tij të vendosur në zemër të Katedrales “Shën Pali” në Tiranë.
“Po patjetër për Papa Françeskun erdha të lutem për atë, që sot do shkoj pranë Zotit të madh.”
“Sot kam ardhur për Papa Françeskun, të lutem për shpirtin e tij, Zoti e pranoftë mbretërin e tij”.
Të bekuar ndihen ata që e kanë takuar. 62 vjeçarja Renata Luci, thotë që ka pasur fatin ta takoj Atin e Shenjtë gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2014, ndërsa shpreh edhe vlerësimet maksimale për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për paqen në botë.
“Një figurë shumë e madhe, e mrekullueshme, kam qenë edhe pjesë e korit të madh këtu, ishte njeri mrekullueshëm dhe e kemi pas edhe vizitor në Shqipëri. Kam qenë në takim te Nënë Tereza, e kam takuar edhe personalishtë, se kam qenë aktive në atë kohë në kori. Erdha t’i jap lamtumirën e fundit në pamundësi për të qenë atje.”
Jo vetë qytetarët vendas, por në homazhe nuk munguan as të huajt.
“Papa ishte njeri i shenjtë, një novator. Zoti e begoftë në rrugën e tij.”
Papa Françesku do të mbahet mend në histori si Papa i gjithë botës, jo vetëm i Vatikanit të Italisë. Në shenjë respekti për ndarjen nga jeta të Atit të Shenjtë, Shqipëria këtë të shtunë është shpallur ditë zie kombëtare, ku institucionet publike dhe zyrat shtetërore kanë ulur flamujt në gjysmë shtizë./abcnews.al