“Disa gjëra kurrë nuk ndryshojnë”, thoshte vite më parë një legjendë e muzikës rap, 2Pac, në një prej hiteve të tij, “Change”. Nuk e kishte për Federatën Shqiptare të Futbollit, por i përshtatet më së miri dhe do i përshtatet për vite e vite edhe në të ardhmen për mënyrën se si ai institucion funksionon.
Shqipëria U21 luan më 13 nëntor kundër Kosovës dhe me 17 ndaj Anglisë. Takime zyrtare për kualifikueset e Europianit të 21-vjeçarëve, ndërkohë abcnews.al mëson se kuqezinjtë janë grumbulluar në Elbasan në pritje të ndeshjeve.
Ajo që bën çudi, në fakt jo edhe aq, ështe se në FSHF as nuk e kanë vënë ujin në zjarr për të informuar mbi listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e radhës. Nuk ka asgjë për të fshehur, por thjesht konfirmohet mungesa e seriozitetit.
Duket sikur Shqipëria U21 është e njerkës dhe se shërben vetëm për të zgjidhur hallet e kombëtares së madhe, kur ndokush mungon. Pak rëndësi ka nëse ata grumbullohen dhe kush janë të zgjedhurit e trajnerit Alban Bushi.
Për të mësuar listën do të duhet të presim që UEFA të publikojë formacionet, ose ndoshta në FSHF do e gjejnë në ndonjë sirtar listën dhe do e publikojnë. Koha i tregon të gjitha, sikurse atë që shkruajmë në fillim: “Disa gjëra kurrë nuk ndryshojnë”. / abcnews.al