Shqipëria U21 “sakatohet” sërish, Bushi merr një përforcim te Teuta

schedule19:19 - 1 Qershor, 2021

schedule 19:19 - 1 Qershor, 2021

Shqipëria U21 nuk do të ketë dy lojtarë me Andorrën, për shkak të dëmtimeve. Më parë është larguar Ernest Muçi, ndërkohë që tani të njëjtin fat e kanë edhe Jurgen Çelhaka dhe Ramën Çepele. Në listën e kuqezinjve ka pasur një lëvizje, teksa është ftuar Ledio Beqja i Teutës, i cili luan si mesfushor qendre.

NJOFTIMI – “Kombëtarja shqiptare U-21 ka zhvilluar sot seancën e radhës stërvitore në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e radhës ndaj Andorrës dhe Bullgarisë.

Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se lista e U-21 ka ndryshuar sërish, me futbollistin Ramën Çepele që nuk do të udhëtojë me ekipin drejt Andorrës dhe Bullgarisë për shkak të problemeve fizike.

Pas monitorimit të vazhdueshëm nga stafi mjekësor i skuadrës dhe për të mos rënduar më shumë gjendjen shëndetësore të futbollistit, u vendos që Çepele të largohet nga grumbullimi.

Ndërkohë, edhe Jurgen Çelhaka nuk do të jetë pjesë e listës së Bushit, me futbollistin kuqezi që ka pasur disa probleme fizike. Pas konsultave me stafin mjekësor, është vendosur që edhe Çelhaka të mos jetë pjesë e kuqezinjve në këto dy ndeshje.

Në këto kushte, trajneri i Kombëtares Alban Bushi ka thirrur në ekip futbollistin e Teutës, Ledio Beqja, i cili i është bashkuar ekipit që prej ditës së sotme dhe ka filluar përgatitjet për dy ndeshjet e ardhshme.

Shqipëria e 21 vjeçarëve do të luajë ndeshjen e parë eliminatore të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian në transfertë ndaj Andorrës, më 4 qershor ndërsa katër ditë më vonë do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj Bullgarisë, po në transfertë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!