Shqipëria U20 dhe ajo U19 janë grumbulluar së fundmi dhe FSHF ditën e sotme ka publikuar edhe listën e lojtarëve që trajnerët Ilir Biturku e Nevil Dede kanë ftuar, ndërkohë që në program janë edhe disa teste, mes tyre edhe një përballje mes kombëtareve të mësipërme.
NJOFTIMI I FSHF – Dy kombëtaret shqiptare të moshave U-20 dhe U-19 kanë nisur këtë të hënë një grumbullim që do të zgjasë për 4 ditë me qëllim që të vëzhgohen nga afër lojtarët e talentuar të këtyre grupmoshave.
Trajneri i Kombëtares U-20, Ilir Biturku ka ftuar 23 lojtarë të vitlindjes 2000-2001, të cilët aktivizohen në klube të kampionatit shqiptare, me përjashtim të portierit Arlis Shala që vjen nga Kosova.
Ndërsa, trajneri i Kombëtares U-19, Nevil Dede, ka thirrur 25 lojtarë të vitlindjes 2002-2004, ku spikasin edhe disa elemente cilësor që vijnë nga jashtë kufijve të Shqipërisë, të dyja skuadrat janë grumbulluar në kompleksin Tropikal në Durrës, ndërkohë që në program janë edhe dy ndeshje miqësore.
Në datën 20 tetor do të zhvillohet një ndeshje miqësore midis Kombëtares U-19 dhe asaj U-20, ndërsa më datën 22 tetor Kombëtarja U-19 do të luajë ndaj Kombëtares U-18, me këtë të fundit që do të grumbullohet vetëm për një ditë. Nga ana tjetër, po me këtë datë, Kombëtarja U-20 do të luajë ndaj Partizanit B. /abcnews.al