Shqipëria U-21 e mbyll me fitore edicionin kualifikues “EURO 2025”, triumfon në “Air Albania” ndaj Armenisë

schedule20:16 - 15 Tetor, 2024

schedule 20:16 - 15 Tetor, 2024

Shqipëria U-21 triumfoi 1-0 ndaj Armenisë U-21 në stadiumin “Air Albania” duke e mbyllur me fitore edicionin kualifikues të “EURO 2025”.

Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje shumë të mirë, dominuan takimin dhe krijuan raste të shumta shënimi, por sfida u vendos nga një autogol në minutën e 57-të.

Shqipëria U-21 e nisi me këtë formacion titullar ndeshjen ndaj Armenisë: Simon Simoni (GK), Geralb Smajli, Adrian Bajrami (C), Leandro Frroku, Ermir Rashica, Tim Civeja, Arlind Rexhepi, Cristian Shpendi, Elmando Gjini, Marcelino Preka, Elton Fikaj.

Skuadra kuqezi e nisi shumë mirë ndeshjen duke kontrolluar mirë topin dhe duke tentuar portën kundërshtare. Që në minutën e 10-të Shpendi u shfaq rrezikshëm në zonë dhe provoi me një goditje, por u ndal nga portieri.

Në vijim provoi edhe Gjini me një goditje me kokë, ndërsa rasti më i mirë u regjistrua në të 19-të me Shpendin. Sulmuesi bëri gjithçka mirë, por u ndal nga portieri.

Sërish Shqipëria shumë pranë golit në minutën 22-të, por Gjini dhe Shpendi u ndalën nga tranversa. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura pavarësisht se kuqezinjtë krijuan shumë raste të mira.

Fraksioni i dytë nisi me dy zëvendësime për kuqezinjtë. Nga loja dolën Tim Civeja e Elton Fikaj dhe u aktivizuan Feta Fetai e Ermis Selimaj.

Shqipëria mori avantazhin në minutën e 57-të pas autogolit të Aventisian. Pas shënimit të golit nga loja doli Cristian Shpendi dhe u aktivizua Rrok Toma, ndërsa në vazhdim u fut në fushë edhe Arlind Rexhepi dhe Ermal Meta.

Kuqezinjtë tentuan deri në fund të realizonin golin e dytë dhe i shkuan shumë pranë me Rexhepin e Dodajn, por pa sukses.

Në fund ndeshja u mbyll me fitoren e Shqipërisë 1-0. Edicioni kualifikues “EURO 2025” për Kombëtaren U-21 mbyllet me pesë fitore, një barazim dhe katër humbje. Shqipëria U-21 renditet në vendin e katërt me 16 pikë. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!