Shqipëria U-17 triumfon me përmbysje ndaj Sllovenisë, Gabriel Kulla shkëlqen me dopietë

schedule16:16 - 18 Prill, 2024

schedule 16:16 - 18 Prill, 2024

Shqipëria U-17 triumfoi me përmbysje në ndeshjen miqësore ndaj Sllovenisë U-17 në Ajdovščina Slloveni, sfidë që përfundoi 2-1 për kuqezinjtë.

Protagonisti kryesor ishte sulmuesi Gabriel Kulla, i cili shënoi dy gola me fanellën kuqezi në sfidën ndaj Sllovenisë U-17. Kjo ishte edhe ndeshja e parë me ekipin Kombëtar U-17 për trajnerin Bledi Shkëmbi që debuton kështu me fitore.

Tekniku kuqezi e nisi me këtë formacion titullar takimin ndaj Sllovenisë U-17: Daniel Culi (GK), Lukas Cekrezi, Kris Gecaj (C), Agon Bajrami, Milan Kovaçi, Rikardo Sheji, Arian Gavelli Sanchez, Ardit Muldakaj, Leon Myrtaj, Jordan Luan Kinnavong, Gabriel Kulla.

Ndeshja nisi e barabartë, teksa të dyja skuadrat u treguan të kujdesshme në prapavijë për të shmangur çdo rrezik. Megjithatë pas disa minutave, Sllovenia gjeti golin në të 21-të me Videnović Denis.

Shqipëria u mundua të reagonte dhe ja doli mbanë të barazonte rezultatin në minutën e 41-të me Gabriel Kullën. Sulmuesi pasi avancoi drejt zonës kundërshtare u pengua nga mbrojtësi i Sllovenisë dhe arbitri kyresor akordoi penallti. Nga pikë e bardhë e 11-metrave Gabriel Kulla goditi saktë dhe barazoi rezultatin. Kaq mjaftoi për pjesën e parë që përfundoi 1-1.

Në fraksionin e dytë, Shqipëria ishte më kërkuese në lojë dhe ja doli mbanë të merrte avantazhin në minutën e 72-të. Sërish Gabriel Kulla me një lëvizje të bukur shmangu mbrojtësin kundërshtar dhe goditi saktë duke realizuar golin e dytë për Shqipërinë.

Deri në fundin e takimit trajneri Bledi Shkëmbi kreu disa zëvendësime duke aktivizuar në fushën e lojës Darli Kurtin, Ernesto Marqeshin, Flavio Shkëmbin, Serxho Voglin, Matia Koçin, dhe Emiljano Mihanën.

Në fund asgjë nuk ndryshoi në rezultat dhe Shqipëria triumfoi në Ajdovščina Slloveni me rezultatin 2-1. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!