Shqipëria U-17/ Gici dhe Rifa rrëfejnë emocionet e golave me Maltën: Jemi të lumtur, gati të marrim tjetër fitore

schedule11:56 - 19 Shtator, 2023

schedule 11:56 - 19 Shtator, 2023

Kombëtarja U-17 arriti të triumfojë me një fitore 2-0 në miqësoren e parë ndaj Maltës, ndeshje e luajtur në fushën e Shtëpisë së Futbollit në Tiranë.

Një paraqitje e mirë për skuadrën e drejtuar nga trajneri Ardi Behari, që arrit të jetë superiore ndaj rivalët në këtë test të parë, ndërkohë që më datën 20 shtator do të luhet edhe miqësorja e dytë me maltezët.

Protagonistët kryesorë me golat e tyre ishin Oresti Rifa e Matias Gici, dy nga lojtarët më të spikatur të sfidës, të cilët në përfundim të miqësores  kanë rrëfyer emocionet e tyre dhe kanë folur për paraqitjen e skuadrës.

Sulmuesi Matias Gici është i lumtur për golin, ndërkohë që është i bindur se kjo skuadër mund të bëjë më shumë, sepse ka një grup cilësor.

“Jam shumë i kënaqur për golin, mund të bënim edhe më mirë mendoj si skuadër, por arritën ta fitonim ndeshjen dhe kjo është më e rëndësishmja. Jam bindur se do të bëjmë një paraqitje edhe më të mirë në ndeshjen e dytë ndaj Maltës, shpresojmë edhe me më shumë gola. Kemi dhënë maksimumin si skuadër, kemi mundësi të përmirësohemi edhe më shumë, gjithsesi arritëm të dilnim me një rezultat pozitiv nga kjo miqësore. Edhe në miqësoren e dytë me Maltën ne shkojmë me synimin për të marrë një tjetër fitore dhe me një paraqitje pozitive. Të përgatitemi mirë për kualifikueset e Europianint në tetor dhe duhet të kemi besim te vetja, të gjithë. Golin ia dedikoj familjes time dhe miqve të mi”, – thotë Gici.

Edhe autori i golit tjetër, Oresti Rifa, shprehet i kënaqur për lojën e skuadrës, teksa shton se Kombëtarja U-17 është gati për kualifikueset e Europianit, që zhvillohen në nëntor.

“Jam shumë i lumtur për ekipin, kemi një staf teknik shumë të përgatitur dhe grupi i lojtarëve shumë cilësor. Shpresoj shumë që edhe në miqësoren e dytë më Maltën do të marrim të njëjtin rezultat. Jemi shumë të kënaqur me paraqitjen, ia dolëm të fitonim dhe sigurisht jam shumë i lumtur për golin që shënova. Ia dedikoj familjes time dhe dajës tim. Uroj që në ndeshjen e dytë miqësore të marrim një tjetër fitore dhe të bëjmë një paraqitje edhe më të mirë, duke u përgatitur njëkohësisht për ndeshjet e Europianit që kemi në nëntor”, – theksoi Rifa.

Të mërkurën e 20 shtatorit, Shqipëria U-17 do të zhvillojë ndeshjen e dytë miqësore po ndaj Maltës, e programuar për këtë muaj. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!