Shqipëria U21 u përball me Tiranën, në një ndeshje testuese që u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1. Pas ndeshjes, trajneri Alban Bushi tregoi se bardheblutë ishin një zgjedhje rastësore për të luajtur dhe se kishin kontaktuar edhe dy klube të tjera. Më parë Shpresat u përballën edhe me Apoloninë dhe fituan me shifrat 6-1.
Bushi, pas sfidës me Tiranën u shpreh se dy sfidat kishin vlerë. Gjithashtu ai nuk ngurroi edhe t’u tërhiqte veshët futbollistëve, pa përmendur emra. “Mendoj se objektivi ynë u realizua në këto miqësore. Pashë nga afër shumë lojtarë. Disa më pëlqyen nga grinta dhe karakteri, por ka edhe nga ata që duhet t’i vënë gishtin kokës dhe ta dinë se këtu është ekip kombëtar dhe Shqipëria nuk pyet për asnjë lojtar.
Thjesht duhet të japësh maksimumin kur luan me fanellën e kombëtares. Nuk më intereson se sa i mirë je ti, apo sa gola ke bërë ti. Nëse në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje nuk jep maksimumin, atëherë nuk ka vend në ekip kombëtar”, tha Bushi fillimisht, raporton abcnews.al.
Më tej ai shton: “Ne kishim një brez të bërë miks, që u digjet mosha muajin tjetër. Doja të shihja lojtarë që janë për sezonin tjetër dhe i pashë. Pavarësisht se kishim 20 mungesa, jam i kënaqur dhe krijova një ide. Shpresoj që në Kosovë të jemi të plotë, të bëjmë një ndeshje të mirë. Këto ishin ndeshje që vlejnë më shumë për sfidën e radhës me Kosovën”.
Bushi përmend shpesh të ardhmen e Shqipërisë U21, por në krahun tjetër duhet të mendojë edhe për të tijën. Kontrata i përfundon në fund të kualifikueseve, por ai në atë që thotë duket se nuk ka ndonjë pishman dhe mendon se e ka bërë punën mirë.
“Patjetër që nuk dihet e ardhmja, çdo gjë ndodh. Sa të jem trajner i ekipit kombëtar do të flas kështu, pasi ne kemi një strategji për të dërguar sa më shumë lojtarë në ekipin e parë. Besoj se kemi bërë mirë deri tani dhe për pjesën e të ardhmen janë të tjerë që vendosin dhe jo unë”, përfundoi Bushi deklatarën e tij. /Vladimir Prenga / abcnews.al