Nga Edi Oga
Ndërkohë që të gjithë jemi duke ndjekur me pasion serialin dramatik “Trekëndëshi i Bermudeve”, një tjetër serial ka shfaqur dje episodin e rradhës. Bëhet fjalë për një prodhim “anglo-shqiptar” ku tregohen përpjekjet e shtetit të madh me mbret “de jure” për të keqpërdorur një shtet të vogël me mbret “de facto”!
Konkretisht, ka disa javë që disa tabloidë të njohur në Britaninë e Madhe, të cilët kryesisht operojnë sipas parimit “ku ka zë s’është pa gjë”, flasin për negociata “të fshehta” midis Londrës dhe Tiranës, për ndërtimin në një Shqipëri të një strukture ku do të sillen të gjithë shkelësit ilegalë të territorit ishullor.
Meqenëse Britania e Madhe nuk është më pjesë e Bashkimit Evropian, ne jo e jo, nuk ka nevojë për traktate, ligje, rregulla, amendamente. Problemi mund të zgjidhet me “cash”, me para në dorë, me 100.000 pounds për çdo “kokë fatkeqi” të ekstraduar.
Lajmi i parë u hodh poshtë “me neveri” nga qeveria, madje edhe nga vetë “mbreti”.
Por dje u shfaq një tjetër seri e këtij filmi, ku një deputet i maxhorancës të cilin e kishim harruar, për më tepër anëtar i Komisionit për (pa) Sigurinë Kombëtare, tha se do të bënim mirë t’i merrnim ato para, përsa kohë nga ky aktivitet siguria kombëtare nuk cënohet. Kjo u shoqërua me përpjekjen për të ratifikuar shpejt e shpejt një marrëveshje dy palëshe, e firmosur në vitin e largët 2003, kohë kur Britania e Madhe ishte akoma pjesë e Bashkimit Evropian. Pati debate dhe vendimi u shty në kohë.
Çfarë pritet të ndodhë në seritë e ardhshme?
E ka në dorë producenti. Si gjithmonë. Nëse “Babuçi” përtej detit thotë “nuk bëhet”, do dalë vetë “mbreti” dhe do ta hedhë poshtë edhe me më tepër neveri këtë skenar poshtërues. Nëse “Babuçi” thotë “do ta bëni”, do ta bëjmë, por të paktën ata që gjithmonë marrin Euro ose dollarë, kësaj radhe do të marrin pounds. /abcnews.al