Shqipëria pret Islandën në “Elbasan Arena”

schedule12:54 - 10 Shtator, 2019

schedule 12:54 - 10 Shtator, 2019

Shqipëria do të luajë sonte në mbrëmje ndaj Islandës në duelin e vlefshëm për kualifikueset e Euro 2020. Trajneri Edi Reja do të bëjë disa ndryshime nga ndeshja e fundit me Francën.

Kombëtarja shqiptare sfidon Islandën në ndeshjen e radhës kualifikuese për Euro 2020. Kuqezinjtë nuk janë në momentin më të mirë për t’u përballur me islandezët, të cilët kanë grumbulluar 12 pikë po aq sa Franca dhe Turqia.

Fitorja do të rikthente qetësinë tek kuqezinjtë, të cilët janë kritikuar jo pak pas humbjes me Francën edhe pse ishte një disfatë e justifikueshme përballë kampionëve të botës.

Trajneri italian Edy Reja ka paralajmëruar disa ndryshime në organike për sfidën ndaj Islandës ndërkohë që skema taktike do të jetë 3-5-2. Në portë do të startojë Strakosha ndërkohë që në mbrojtje do të ulet në stol Mavraj dhe do të startojë nga minuta e parë Dermakun.

Në linjat anësore do të vendosen Hysaj dhe Lenjani, i cili do të zëvendësoje Roshin. Në mesin e fushës konfirmohet Keidi Bare, i cili do të luajë përkrah Gjasulës ndërkohë që ka balotazh mes Memushaj dhe Xhakës.

Sa i përket fazës sulmuese konfirmohet Sokol Cikalleshi, i cili do të luajë përkrah njërit mes Uzunit dhe Manaj. Tekniku italian është optimist për këtë duel madje zbuloi në konferencën për shtyp se do të kërkojë nga lojtarët një lojë sulmuese pasi skuadra nuk ka asgjë për të humbur.

Ndaj islandezëve nuk do të jetë aspak e lehtë pasi këta të fundit janë në garë për kualifikim dhe ndaj Shqipërisë do të luajnë vetëm për fitore. Shqipëria do të shfrytëzojë faktorin fushë dhe mbështetjen e tifozerisë që nuk ka munguar si brenda ashtu edhe në transfertë. Kuqezinjtë renditen në vendin e katërt në grupin H ne kuotën e 6 pikëve./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!