Shqipëria nis “vrapin final” drejt Botërorit 2022

schedule11:14 - 4 Tetor, 2021

schedule 11:14 - 4 Tetor, 2021

Të hënën prej orës 17:00, Përfaqësuesja e Shqipërisë në futboll zhvillon stërvitjen e parë për ndeshjet e këtij muaji.

Kështu nis “vrapi final” i kuqezinjve drejt kampionatit botëror “Katari 2022”. Ndeshjet e këtij muaji, me Hungarinë dhe Poloninë, vlerësohen vendimtare sa i takon renditjes së Shqipërisë në grupin I të kualifikimeve evropiane.

Shqipëria në nëntor luan me Anglinë në udhëtim dhe me Andorrën në shtëpi, teksa gjasat për të marrë pikë ndaj Anglisë janë fare të vogla, për ndeshjen ndaj Andorrës llogariten tri pikë.

Por ato do të kenë më pak vlerë, nëse ndaj Hungarisë e Polonisë nuk arrihet suksesi i synuar.

Shqipëria aktualisht është në pozitën e dytë në grup me 12 pikë. Udhëheq Anglia me 16 pikë, ndërsa gara për vendin e parë është thuajse e mbyllur. Vendi i parë siguron kualifikimin direkt në Botëror, ndërsa vendi i dytë dërgon në fazën play-off.

Për vendin e dytë po luftojnë Shqipëria, Polonia dhe Hungaria. Dhe rrjedhimisht ndeshjet e tetorit janë vendimtare.

Më 9 tetor janë takimet Hungaria – Shqipëria dhe Polonia – San Marino. Ndërsa më 12 tetor janë ndeshjet Shqipëria – Polonia dhe Anglia – Hungaria. Më 12 nëntor, kur Shqipëria luan me Anglinë në “Wembley”, Polonia takohet me Andorrën, ndërsa Hungaria me San Marinon. Kurse më 15 nëntor, kur Shqipëria luan me Andorrën, në Varshavë takohen Polonia e Hungaria.

Ka edhe shumë pikë në lojë dhe rrjedhimisht gara për pozitën e dytë është plotësisht e hapur. Shqipëria e ka në dorë fatin e saj, ndonëse e presin dy ndeshje të vështira.

Për ndeshjet vendimtare, trajneri Edoardo Reja ka ftuar 25 futbollistë. Tekniku italian i beson grupit të lojtarëve që ishin edhe në ndeshjet e kaluara. Pas një kohe të gjatë është kthyer Ivan Balliu, që po paraqitet mirë me Rayo Vallecanon në Spanjë. Ermir Lenjani, Kastriot Dermaku e Frederic Veseli janë lojtarët e tjerë të kthyer në përbërje.

Derisa mbrojtja dhe sulmi vlerësohen të kompletuara, më shumë telashe priten në repartin e mesfushës. Mungesa e Amir Abrashit dhe e Qazim Laçit mund t’i shkaktoj kokëdhembje Rejas. Bëhet fjalë për dy prej lojtarëve kryesorë të mesit të fushës.

Vlerësohet se Shqipëria ka formuar një grup cilësor lojtarësh, që është i denjë për të siguruar vendin e dytë në grup.

Vendi i dytë në grup siguron ndeshjet e fazës play-off , që ofrojnë pozita të tjera për kualifikim. Në Play-Off, do të luhet raundi gjysmëfinal dhe raundi final.

Do të marrin pjesë 12 përfaqësuese, dhjetë prej tyre që përfundojnë në vendin e dytë në grup dhe dy prej Ligës së Kombeve. Tri prej tyre kualifikohen në Botëror. Pra, 12 përfaqësueset do të ndahen në tri grupime, ku do të luajnë gjysmëfinalet dhe finalen. Fituesit e finaleve shkojnë në Botëror.

Ndeshjet e fazës play-off janë në mars të vitit të ardhshëm. Shqipëria synon t’i luajë ato. Por fillimisht fokusi është te ndeshjet e këtij muaji. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!