Shqipëria nën sulmin kibernetik, eksperti: Mund të kemi qenë në survejim prej 6 muajsh, çfarë rrezikojmë

schedule12:57 - 18 Korrik, 2022

schedule 12:57 - 18 Korrik, 2022

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur përkohësisht  aksesin e shërbimeve online si edhe të faqeve tjera qeveritare, pasi gjendet në një sulm kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë.

Eksperti i Teknologjisë së informacionit, Said Duleviç, i ftuar në studion e “Abc Live”, në Abc u shpreh se dikush duhet të ketë akses në server në mënyrë që të sigurojë të dhënat, ose sulmi mund të ndodhë edhe pas një gabimi aksidental të punonjësve.

Duleviç: Që të hyjë në server dhe të marrë informacion, dikush duhet të ketë akses në server. Por mund të jetë dhe dikush nga stafi që ka shtypur diçka gabimisht dhe hyn virusi. Ka programe të cilat kapin userin i cili vepron në mënyrë të dyshimtë, pra “fut hundët” në dosje të ndryshme. Në momentin që zbulohet ky user këta ngrenë flamurin e kuq dhe thjesht deklarojnë se u fik.

Lexo edhe: Sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë, Kryeministria: E njëjta metodë si në Ukrainë, por kemi “back up” të sigurt

Cili është rreziku më i madh nga marrja e të dhënave?

Duleviç: Më tepër se ngel pa lek. Ka hackera që marrin të dhënat dhe fillojnë e identifikojnë çdo lloj veprimi që ti ke kryer. Ai mund të fillojë edhe shantazhin sepse i ka të dhënat. Problemi i e-Albanias është se ka qenë i lidhur me të gjitha platformat qeveritare. Problemi është nëse këta hackera kanë hyrë kaq thellë në e-Albania, sepse nëse ka ndodhur është shqetësuese.

Cila është lëvizja që duhet bërë në momentin që jemi?

Duleviç: Organet besoj janë duke u marrë me rikthimin e një back up që e kanë pasur më përpara. Nuk dihet dëmi që është shkaktuar. Problemi tani është që ata po përpiqen ta sjellin funksionale. Por nuk duhet rikthyer thjesht funksionale, duhet të rikthehet pa viruse. Risku më i madh është fakti që nuk do merret vesh agresori dhe në çfarë forme hyri. Mund të ketë dhe mungesa të vogla të dhënash, por besoj se do t’i rikthejnë.

Çfarë ndodh pas rikuperimit?

Duleviç: Mund të merret ndonjë sistem mbrojtës për tu përballur me sisteme të tilla, por sërish do mbetet enigmë. Fakti që dolën të dhënat u bë më sensitive çështja. Hackerat ndjekin pikat e dobëta të qeverive në botë. Hackerat mbajnë shënim gjithçka. Vjen momenti që ndodhi kjo që ndodhi.

Kush mund të jetë i interesuar për të pasur akses në tëdhënat tona?

Duleviç: Sulmet mund të jenë të lidhura me Rusinë, me Azinë. Hackerat i ndjekin dhe lajmet. Edhe vetë NASA është hakuar para ca kohësh, por kanë protokolle më të sigurta dhe kanë staf më të sigurt. Nuk jemi të sigurt që nuk do përsëritet më. Dihet që serverat e vendit tonë janë të brishtë, duhet një update i mirë. Duhet teknologji e fundit që t’i bësh ballë sulmeve të fundit.

Sa mund të jetë koha më e gjatë që mund të mos kemi akses në platformat inline?

Duleviç: Çdo gjë është rikthyer brenda 24 orëve në shembujt e mëparshëm të shteteve të tjera. Te ne nuk dihet. 24 orë është koha që duhet të rikthesh back up-in që kishe. Te ne mbase janë duke identifikuar se çfarë ka humbur rrugës sepse nëse kthehet gjysma gjysma do jetë problem.  Sulmi nuk bëhet brenda natës, ka studim. Në momentin që hackerat futen në sistem duan që t’i dalë me sukses sulmi. Mund të kemi qenë në survejim prej 6 muajsh. Duhen përmirësuar komplet serverat. Me informacione e tanishëm serverat janë pak të vjetër. Duhet të merren serverat e rinj.

Lexo edhe: Shqipëria nën sulm, reagon kryeministria. Kush po tenton “pushtimin” kibernetik të vendit?

Kryeministria në një reagim ditën e sotme lidhur me sulmin kibernetik ndaj “E-Albania” tha se sulmi ka qenë kompleks dhe në shkallë të gjerë.

Sipas kryeministrisë është bërë i mundur izolimi i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare për të garantuar mbrojtjen e të dhënave.

Mes të tjerash thuhet se sistemet qeveritare deri më tani janë të paprekura. Që në momentet e para të evidentimit të këtij sulmi AKSHI është duke bashkëpunuar ngushtësisht me Microsoft nëpërmjet ekspertëve të tyre më të mirë kibernetikë të Detektimit dhe Përgjigjes ndaj Incidenteve (DART team)./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!