Vizita e ambasadores amerikane të Greqisë në Tiranë për të takuar kryeministrin Edi Rama vjen me një investim të madh me vlerë 1 miliardë euro në sektorin e mineraleve në Shqipëri.
Gazeta greke Kathimerini ka zbuluar se qëllimi i vizitës së ambasadores së Tramp, Kimberly Guilfoyle, ka patur lidhjen e një marrëveshjeje për një konsorcium greko-amerikan, që ka interes shfrytëzimin e minierave të nikelit dhe kobaltit në juglindje të vendit, në Bilisht.
Marrëveshja parashikon krijimin e një sipërmarrjeje të re të përbashkët sipas ligjit shqiptar, mes grupit AKTOR Metal dhe Fondacionit BNI.
Financimi i saj do të bazohet kryesisht në fondet amerikane të investimeve, ndërsa projekti do të mbështetet teknikisht dhe këshillimisht nga kompani me seli në Shtetet e Bashkuara.
Të dhënat tregojnë se potenciali i minierave në zonën e Bilishtit tejkalon 500,000 ton nikel dhe 25,000 ton kobalt. Bazuar në këto vlerësime, kjo është një nga rezervat më të mëdha të nikelit në të gjithë Evropën. Marrëveshja mbulon jo vetëm minierat, por edhe ndërtimin dhe funksionimin e njësive të nevojshme të përpunimit.
Por kjo marrëveshje nuk shihet vetëm si një investim i thjeshtë, por një qasje strategjike e SHBA dhe Europës për t’u shkëputur nga varësia ndaj Kinës, e cila zotëron sot pjesën më të madhe të nikelit dhe kobaltit në gjithë botën.
Media greke gjithashtu zbulon se ambasadorja amerikane nuk e ka takuar Ramën vetëm, por bashkë me pronarin e Actor Metal, Alexandros Exarchos, për të diskutuar mbi këtë marrëveshje dhe investim.
I pyetur nga ABC News, në konferencën e tij të fundit për shtyp, edhe kryeministri Rama pranoi se takimi me ambasadoren amerikane erdhi pas një interesi të lartë të SHBA për investime dhe bashkëpunime në Shqipëri.
Pas Sazanit, ky radhitet investimi më i madh në Shqipëri. Por rëndësia e tij është gjeostrategjikisht më e madhe, pasi do fusë Shqipërinë në hartën e metaleve të rralla, ashtu si Groenlanda.


