Drejtoresha e Përgjithshme në Ministrinë e Turizmit, Herida Duro thotë se panari i turizmit që do të mbahet në Berlin më 4-6 mars, do të jetë mundësi shumë e mirë për të përfituar investime të huaja në Shqipëri dhe për të reklamuar produktet turistike të vendit tonë.
Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Duro u shpreh se Shqipëria do të prezantohet denjësisht në panair.
“Pjesë e kësaj analize sesi do qaseshim në industrinë globale të turizmit, ka qenë rruga e duhur se si do të promovoheshim dhe me çfarë produkti do të shkonim. Prezenca jonë në panaire të caktuara, ka qenë jo e paqëllimshme. Kemi shkuar edhe me produktin. Armata jonë më e fuqishme janë turoperatorët. Analiza ka qenë që duhet të shkojmë atje dhe tani jemi gati për këtë moment. Ne shkojmë me një paketë të vlefshme dhe të diversifikuar. Pjesëmarrës në tendë do jenë aktorë të rëndësishëm. Sot që flasim, kemi mbi 11 brende të vendosur në Shqipëri, të cilat po operojnë në mënyrë të suksesshme. Krahas kësaj, i gjithë territori me infrastrukturën turistike, të gjitha janë në shërbim të arritjes dhe distancave më të afërta”, theksoi ajo./abcnews.al

