Shqipëria, ndër shtetet me borxhin më të lartë në Europë në 2021, e dyta në rajon

schedule08:04 - 26 Prill, 2022

schedule 08:04 - 26 Prill, 2022

Shqipëria u rendit e 11-a në Europë në vitin 2021 për nivelin e lartë të borxhit publik, në raport me madhësinë e ekonomisë.

Sipas Ministrisë së Financave borxhi publik në vitin 2021 ishte 78.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Të dhënat e tjera të Eurostat e rendisin Shqipërinë pas Greqisë, Italisë, Portugalisë, Spanjës, Francës, Belgjikës, Qipros, Malit të Zi, Austrisë dhe Kroacisë (shiko grafikun në fund). Ndërsa në rajon, Shqipëria është e dyta, pas Malit të Zi.

Vendet e tjera të rajonit kanë nivele më të ulëta të borxhit, Serbia dhe Maqedonia e Veriut me nga 58% të PBB-së, Bosnja në 36% dhe Kosova ka ndër borxhet më të ulëta të Europës, me 22% të PBB-së.

Të gjitha vendet e rritën me shpejtësi borxhin në vitin 2020, me synim për të gjallëruar ekonominë pas pasojave të pandemisë. Në Shqipëri borxhi u rrit me gati 10 pikë përqindje dhe ai vijoi të mbetej i lartë dhe në 2021. Ndonëse borxhi u rrit me ndër ritmet më të lart atë Europës, mbështetja e ekonomisë për pandeminë ishte më e ulët në Europë, me më pak se 1% e PBB-së, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Lexo edhe: Bulmeti rritet përsëri 11%, përpunuesit: Shkak, shtrenjtimi i lartë i qumështit të fermerit

Aftësia e një vendi për të paguar borxhin është e varur nga konkurrueshmëria e tij. Sa më e ulët të jetë ajo, aq më e ulët është aftësia paguese. Shqipëria renditet nga Forumi Ekonomik Global si vendi me konkurrueshmërinë më të ulët në Europë.

Si Banka Botërore ashtu dhe FMN e kanë këshilluar shpesh qeverinë shpesh qeverinë shqiptare që të tregohet e kujdesshme me shpenzimet dhe konsolidimin fiskal. Banka Botërore, në raportin e fundit për Europën Qendrore dhe Azinë ”Lufta në Rajon”, është shprehur e ashpër lidhur me nivelin e lartë të borxhit të Shqipërisë dhe ka paralajmëruar se rifinancimi i tij mund të jetë në rrezik dhe se qeveria mund të detyrohet që të reduktojë shpenzimet e saj kapitale, shkruan Monitor.

“Në skenarin bazë, borxhi publik pritet të bjerë lehtësisht në 78.1% të PBB-së në vitin 2022 dhe në mënyrë më të konsiderueshme në periudhën afatmesme. Megjithatë, bilanci fiskal mund të përkeqësohet më tej, nëse mjedisi ndërkombëtar do të jetë i pafavorshëm, duke e detyruar qeverinë të shkurtojë shpenzimet kapitale për të parandaluar një rritje të raportit të borxhit ndaj PBB-së”, paralajmëron banka.

Borxhi në Europë

Sipas Eurostat, në fund të tremujorit të katërt të vitit 2021, raporti i borxhit të qeverisë ndaj PBB-së në eurozonë ishte 95.6%, krahasuar me 97.5% në fund të tremujorit të tretë 2021. Në BE, raporti gjithashtu u ul nga 89.9%. në 88.1%.

Për eurozonën, ulja e raportit të borxhit të qeverisë ndaj PBB-së vjen si pasojë e rritjes së PBB-së dhe një rënie të lehtë të borxhit nominal në terma absolutë, ndërsa për BE-në borxhi nominal vazhdoi të rritet lehtë, por u tejkalua nga rritja në GDP.

Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020, raporti i borxhit të qeverisë ndaj PBB-së ra si në eurozonë (nga 97.2% në 95.6%) dhe në BE (nga 90.0% në 88.1%). Ulja erdhi për shkak të rritjes së PBB-së që tejkalon rritjen e borxhit të qeverisë./Monitor/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!