Shqipëria mund të fitojë ndaj Turqisë, por duhet të luajë me kokën ulur. Trajneri Kristian Panuçi flet për ndeshjen e eliminatoreve të Evropianit, duke sqaruar zgjedhjet e tij dhe taktikën që do të përdorë
Përgatitja nisi menjëherë.
Kombëtarja shqiptare i dha fund më shumë se 4 muajve pushim dhe u kthye në fushën e kompleksit “Tropikal” në Durrës, për të qenë gati në ndeshjen eliminatore të Evropianit ndaj Turqisë.
Sfida e 21 Marsit pritet si fillimi i një ere të re për trajnerin Kristian Panuçi, i cili e theksoi këtë në daljen përpara gazetarëve.
“Padyshim, duhet të ndryshojmë diçka në sjelljen tonë gjatë ndeshjeve, por jo përsa i përket mënyrës së lojës. Është e rëndësishme që na kthehet ndonjë lojtar. Të ndryshojmë sjelljen tonë, por do të ketë edhe ndryshime teknike. Mund të luajmë 4-3-3, ndoshta 3-5-2, por theksoj që mentaliteti do të ndryshojë”.
Mungesat kanë qenë shqetësim i përhershëm, por në apel sërish nuk janë të tillë si Mavraj apo Cikalleshi.
“Jam i kënaqur me 23 lojtarët që kam. Mund të ishin thirrur edhe të tjerë, por varet nga forma. Cikalleshin e thirra, por u dëmtua. Ndoji është i dëmtuar, Binaku do të vijë, por nuk e dimë sesi është pasi ka problem muskulor. Rikuperojmë Abrashin, Ajetin, Grezda më në fund ka nisur të luajë. Kemi Qosen që e kam ndjekur gjatë gjithë dimrit, është një lojtar i ri. Në këtë grup, shumica e lojtarëve luajnë gjatë gjithë kohës”.
Pas disfatës me Skocinë, trajneri italian u mendua dhe deklaroi se do të ndryshonte mënyrën e lojës.
“Kjo është një ide, po. Që të presim kundërshtarin më shumë, por nuk do të thotë se do të luajmë në mbrojtje. Do të thotë që të krijojmë hapësirë për kundërsulmin. Kjo, sepse krijova përshtypjen se gabova unë, siç ju kam thënë. Nëse skuadra hapet shumë, për të bërë një futboll total, kemi problem. Gjithsesi, shqetësimi kryesor është për luhatjet, pasi fituam me Turqinë, pastaj humbëm me Kosovën. Unë jam i bindur se ne mund të dalim shumë mirë me Turqinë dhe ta fitojmë ndeshjen”.
Luhet për Evropianin, një garë në të cilën Shqipëria ishte në fazën finale në 2016, pra cili është objektivi?
“Do të shikojmë ndeshje pas ndeshjeje, pasi më duket se disa e humbën sensin e realitetit. Shqipëria është në vazon e katërt më grupin tonë, që do të thotë se ky është pozicioni ynë. Nëse jemi mirë, ngjitemi të tretët, nëse bëjmë diçka speciale, dalim të dytët. Jam i bindur se mund të bëjmë diçka speciale, por kjo arrihet vetëm me kokën ulur, dhe jo vetëm nga skuadra, por nga të gjithë”.
Trajneri u shpreh i qetë që ka pak sulmues, duke thënë se mund të luajë edhe pa sulmues, duke përshtatur lojtarë të tjerë, ndërsa vlerësoi Turqinë si skuadër shumë cilësore, dhe u shpreh i lehtësuar që Under i Romës nuk do të luajë.
Kombëtarja luan me Turqinë në 21 mars në “Loro Boriçi” të Shkodrës dhe në 25 mars në fushën e Andorrës./abcnews.al