Ministri i Brendshëm Taulant Balla vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional, si dhe shoqërinë civile lidhur me luftën ndaj radikalizmit e ekstremizmit në Shqipëri, si dhe rehabilitimin dhe ri-integrimin e këtyre personave të riatdhesuar nga zonat e konfliktit.
Gjatë prezantimit të mekanizmit kombëtar të referimit kundër ekstremizmit, ministri Balla tha se vendi ynë ka praktikat më të mira në rajon për luftën ndaj ekstremizmit dhe rehabilitimin e viktimave. Ai shtoi se të gjitha institucionet po punojnë për krijimin e një strategjie edhe më të fortë kundër radikalizmit.
Fjala e plotë e ministrit Taulant Balla:
Shqipëria është një model suksesi në luftën kundër ekstremizimit të dhunshëm dhe radikalizmit. Në përvojën e vendit tim në promovimin e vlerave të përbashkëta të paqes, dialogut, parandalimit të konflikteve dhe kundërvënies ndaj terrorizmit, ka mbizotëruar ideja e parandalimit të radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Prandaj, në luftën tonë kundër këtyre sfidave madhore të kohëve moderne, ne promovojmë një qasje gjithëpërfshirëse dhe ndërinstitucionale, duke mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Në kuadër të përpjekjeve tona të vazhduara, që nga krijimi i Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (Qendrës CVE), numërohen rreth 15 mijë specialistë të vijës së parë, që janë pjesë e Rrjetit të sigurisë së P/CVE, me kontribut aktiv në identifikimin, sinjalizimin dhe adresimin e rasteve të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në rang vendi dhe në mjedisin online.
Prej vitit 2018 e në vazhdim, Shqipëria i ka shtuar çdo vit e më tepër përpjekjet për kundërshtimin dhe luftimin e ekstremizmit te dhunshëm. Istitucionet shtetërore, qoftë në nivel qendror, qoftë në atë vendor, qoftë me partnerët ndërkombëtarë, qoftë me ata kombëtarë, për monitorimin dhe zbatimin në të njëjtën kohë të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftës kundër terrorizmit gjatë kësaj periudhe pra 2023-2025, përfshirë këtu dhe planin tonë të veprimit për zbatimin e masave të përbashkëta të planit rajonal për luftën kundër terrorizmit në Ballkanin Perëndimor, po për të njëjtën periudhë kohore.
Gjatë këtyre viteve kemi bërë të mundur ngritjen e mekanizmave efikasë në nivel lokal dhe këtu janë prefektët, të cilët do të kenë mundësi ta evidentojnë, së pari për evidentimin, sinjalizimin dhe për adresimin e çdo forme radikalizmi dhe ekstremizmi të dhunshëm, sidomos me fokus të veçantë te të rinjtë pa harruar dhe shtresat vulnerabël.
Nga ana tjetër është bërë i mundur bashkëpunimi me 61 Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike si një mekanizëm i mirëfilltë efikas referimi për sinjalizimin dhe trajtimin e rasteve të ekstremizmit të dhunshëm në nivel vendor./abcnews.al