Shqipëria hedh hapin e parë drejt Bursës

schedule22:18 - 13 Maj, 2023

schedule 22:18 - 13 Maj, 2023

Në fund të muajit prill, Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare miratoi prospektin e parë të emetimit të obligacioneve me ofertë publike në historinë e tregut financiar shqiptar. Emetimi përfaqëson një gur të rëndësishëm kilometrik, sepse biznesi shqiptar do të hedhë, më në fund, hapin e parë drejt bursës.

Sipas burimeve nga tregu, obligacionet do të emetohen në formën e borxhit të varur dhe do të kenë afat maturimi pesëvjeçar. Shuma totale e tyre pritet të jetë 500 milionë lekë, ndërsa kuponi i ofruar për investitorët do të jetë në nivelin 8%. Pagesa e kuponit do të bëhet me frekuencë 6-mujore.

Një detaj i rëndësishëm është se obligacionet do të jenë të nënrenditura dhe nuk do të jenë të mbuluara me garanci nga emetuesi, elemente të rëndësishme në vlerësimin e rrezikut të investimit. Instrumentet e nënrenditura klasifikohen me rrezik të lartë, sepse në rast të falimentimit të emetuesit, ato klasifikohen të fundit në radhën e shlyerjes së detyrimeve.

Institucioni nënshkrues (underwriter) i emetimit do të jetë Credins Bank. Nënshkruesi ka një rol kyç në shitjen e titujve me ofertë publike, duke vendosur kontaktet me investitorët potencialë për të përcaktuar çmimin me të cilin do të ofrohet titulli.

Në rastin e titujve të borxhit, zakonisht është nënshkruesi që merr përsipër tregtimin, me angazhim për ta blerë vetë dhe për ta shitur më pas tek investitorët e interesuar (commitment), ose me përpjekjet më të mira (best efforts) për ta shitur.

Oferta publike e NOA-s do të ketë afat 30-ditor, gjatë të cilit, investitorët e interesuar mund të paraqiten pranë sporteleve të përcaktuara nga emetuesi dhe nga nënshkruesi i obligacioneve dhe të firmosin një kërkesë për blerje të obligacioneve, pasi të jenë njohur me prospektin. Nëse oferta publike do të rezultojë e suksesshme, obligacionet do të listohen për tregtim në bursën ALSE.

Oferta publike do të vlerësohet e suksesshme, në rast se do të nënshkruhen të paktën 10% e vlerës së shpallur të obligacioneve.

NOA provon e para ofertën publike

Institucioni financiar NOA e ka origjinën në vitin 1998, si shoqëri kursim-krediti (Partneri shqiptar për mikrokredi), ndërsa në vitin 2001, ajo u shndërrua në shoqëri aksionere.

Si rezultat i ndryshimeve të pronësisë, shoqëria e ndryshoi emrin në Opportunity Albania, në vitin 2008 dhe në NOA, në vitin 2010, kur aksionet u blenë nga NOA Holding, një shoqëri e regjistruar në Holandë.

Aksioneri kryesor i shoqërisë edhe sot vazhdon të jetë NOA Holdings, ndërsa aksionerë kontrollues përfundimtarë janë një grup investitorësh shqiptarë. Aktualisht, NOA është e licencuar nga Banka e Shqipërisë, si institucion financiar jo bankë i kredidhënies.

Sipas pasqyrave të fundit financiare, të vitit 2021, NOA kishte një total aktivesh prej 6.7 miliardë lekësh, në pjesën më të madhe hua për sektorin privat të ekonomisë.
Portofoli neto i kredisë, në fund të vitit 2021, kishte vlerën e 5.75 miliardë lekëve.

Më shumë se 80% e portofolit neto të kredisë konsiston në hua për bizneset. Portofoli i huadhënies është i përqendruar kryesisht në sektorët e tregtisë, shërbimeve dhe bujqësisë, me afërsisht 70% të totalit. Aktiviteti kreditues i kompanisë financohet kryesisht me linja kredie të siguruara prej bankave dhe institucioneve të tjera financiare, në Shqipëri dhe jashtë vendit. Në vitet e fundit, NOA ka shfaqur një performancë financiare pozitive dhe kthime relativisht të larta nga kapitali.

Kompania e mbylli vitin 2021 me fitim neto në vlerën e 322 milionë lekëve, në rritje me 15% krahasuar me një vit më parë. Fitimet e akumuluara në fund të vitit 2021 arritën në pothuajse 1.1 miliardë lekë dhe përbënin pothuajse 58% të kapitalit total aksioner të shoqërisë. Kthimi mesatar nga kapitali aksioner ishte pranë nivelit të 21%.

AMF: Oferta publike sjell mundësi të reja për investitorët

Pasi miratoi prospektin e emetimit të obligacioneve me ofertë publike nga NOA, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare vlerësoi se emetimi për herë të parë me ofertë publike i shton tregut shqiptar të kapitaleve një instrument të ri financiar, duke çuar drejt një game më të gjerë të instrumenteve financiare dhe është një sinjal pozitiv për zhvillimin e mëtejshëm të këtij tregu.

Deri tani, tregu i kapitaleve, krahas titujve të Qeverisë, ka qenë i përqendruar tek emetimet e obligacioneve me ofertë private, një mjet që është përdorur nga shoqëritë për të gjeneruar likuiditet.

“Kjo është hera e parë në historinë e krijimit të një tregu të lirë vendas të kapitaleve, që titujt e një shoqërie i ofrohen publikut të gjerë, duke shënuar një moment të rëndësishëm për këtë treg, si dhe duke shërbyer si shembull për emetime të kësaj natyre edhe nga subjekte të tjera, me qëllim sigurimin e aksesit në kapital nëpërmjet ofrimit të alternativave të reja të financimit, përtej atyre të kreditimit nga sektori bankar.

Emetimi, për herë të parë, i titujve të një shoqërie me ofertë publike i ofron investitorit shqiptar mundësi të reja investimi në shërbim të diversifikimit të portofolit të tij.

Titujt e emetuar nëpërmjet ofertës drejtuar publikut duhet të listohen në një treg të rregulluar/Bursë. Rrjedhimisht, investitorit i krijohet mundësia për tregtimin në çdo kohë të këtij obligacioni, në varësi të nevojave të tij për likuiditet”, thuhet në njoftimin e AMF.

Sipas AMF-së, emetimi pritet të aktivizojë të gjithë mekanizmat ekzistues të tregut të kapitaleve, që lëvizin dhe mbështesin procesin e emetimit dhe tregtimit të titujve, siç janë ndërmjetësit financiarë, Bursa dhe Depozitari Qendror i Titujve, duke verifikuar funksionalitetin e infrastrukturës së tregtimit dhe pastregtimit.

AMF vlerëson se procesi i emetimit përmes ofertës publike realizohet në një moment të përshtatshëm, pasi në vend janë krijuar të gjitha kushtet paraprake që mbështesin këtë proces. “Krahas infrastrukturës ligjore dhe rregullatore është krijuar edhe infrastruktura e tregtimit dhe pastregtimit.

Funksionimi i një tregu të rregulluar nëpërmjet licencimit të Bursës Shqiptare të Titujve (ALSE) krijoi premisat për realizimin e emetimeve me ofertë publike, përmes Bursës, si dhe për tregtimin e këtyre titujve në Bursë. Gjithashtu, Depozitari Qendror për shlyerjen dhe klerimin e titujve është krijuar me licencimin e ALREG për ushtrimin e këtij funksioni.

Në treg ekzistojnë të gjithë ndërmjetësit e nevojshëm financiarë që mundësojnë lehtësimin e transaksioneve me tituj, përfshirë këtu edhe dy subjekte (banka) që kryejnë funksionin e nënshkrimit të instrumenteve financiare (Underwriter), funksion ky i domosdoshëm për realizimin e procesit të emetimit nëpërmjet ofertës publike”, vlerëson AMF.

Oferta e parë publike vë në lëvizje bursën

Pas emetimit, listimi i obligacioneve të institucionit financiar do të bëhet në ALSE, bursën e vetme të licencuar në Shqipëri. ALSE u licencua nga AMF në vitin 2017 dhe nisi aktivitetin në vitin 2018. Por, deri tani, volumet e tregtimit në bursë kanë qenë modeste dhe të kufizuara në titujt e borxhit të qeverisë shqiptare. Listimi në Bursë i obligacioneve të NOA-s pritet të mundësojë, për herë të parë, tregtimin e titujve të kompanive private në një treg të rregulluar.

Në mars të vitit 2021, edhe depozitari ALREG nisi operimin në sistemin e pagesave ndërbankare me vlerë të madhe (AIPS) të Bankës së Shqipërisë. Ky hap shënoi tejkalimin e pengesës së fundit teknike për tregtimin e letrave me vlerë të kompanive private në Bursën Shqiptare të Titujve, ALSE.

Por, ndërkohë kuadri rregullator i nevojshëm për listimin e titujve të shoqërive private në Bursë nuk ka qenë i plotë. Vetëm në muajin janar të këtij viti, Bordi i AMF miratoi rregulloret “Për kërkesat e transparencës në lidhje me Informacionin e shoqërive të listuara” dhe “Për formën dhe përmbajtjen e Prospektit që publikohet kur Titujt i ofrohen publikut dhe/ose pranohen për tregtim në një treg të rregulluar”.

Zgjerimi i operacioneve të bursës në titujt financiarë të sektorit privat shënon një hap të rëndësishëm për tregun financiar. Investitorët do të kenë alternativa të reja financimi dhe mundësi për të diversifikuar portofolat e tyre të investimit, duke përmirësuar kthimet.

Një gjë e tillë do të ishte veçanërisht e rëndësishme për të zhvilluar më tej tregun e investitorëve institucionalë, sidomos të fondeve të investimit dhe të pensionit. Por, një bursë ku mund të blihen dhe të shiten instrumente borxhi apo kapitali të ndërmarrjeve private do të krijojë alternativa të reja edhe për investitorët individualë.

Ekspertët: Shans për të shfrytëzuar më mirë likuiditetin e lartë në treg

Artan Gjergji, ish-drejtor i Bursës ALSE, thotë se rëndësia e listimit të një instrumenti financiar emetuar nga një subjekt i caktuar për herë të parë është një ngjarje e rëndësishme për tregun e kapitaleve në një vend të caktuar.

“E nëse kjo është e para ofertë publike në historinë e tregut financiar, rëndësia është shumë herë më e madhe. NOA është një nga subjektet e pakta (janë rreth 10 të tilla), që ka emetuar edhe më parë letra me vlerë të borxhit (obligacione korporate), por duke zgjedhur metodën e ofertës private, çfarë nënkupton shitjen e këtij instrumenti te një grup i caktuar dhe i përzgjedhur investitorësh.

Emetimi me ofertë publike është një risi dhe koncept krejtësisht tjetër, të cilin do të preferoja ta quaja një gur të rëndësishëm kilometrazhi në historinë e financave shqiptare.

Nëpërmjet emetimit me ofertë publike, NOA do t’u drejtohet të gjithë shqiptarëve (pa përzgjedhje), të cilat kanë dëshirën të investojnë në këto instrumente, për të diversifikuar kursimet e tyre dhe normat e kthimit që kanë nga procesi i investimit.

“Elementi i listimit në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE është një element i dytë shoqërues i ofertës publike dhe detyrim ligjor për emetuesin NOA, pasi u jep mundësinë investitorëve që të kenë një dritare likuiditeti, në rast se duan të shesin obligacionet para afatit të maturimit.

Në vetvete, edhe listimi i obligacioneve korporative të emetuara nga NOA është risi në tregun financiar vendas, pasi kemi, për të parën herë, një listim në bursë të titujve të emetuar nga një sipërmarrje private. Deri më sot listohen dhe tregtohen vetëm titujt e Qeverisë, bono dhe obligacione thesari”, – shprehet ai.

Sipas z. Gjergji, ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt zhvillimit të tregut, pasi krijon precedentin dhe hap derën për të tjerë biznese, që të shfrytëzojnë bursën dhe tregun e kapitaleve, si një alternativë tjetër (ndryshe nga huamarrja bankare) për financim më efikas të aktivitetit të biznesit.

“Emetimi i titujve, nëpërmjet ofertës publike nga ana e biznesit, i jep atij mundësinë që të gjejë financim direkt nga qytetarët, por edhe nga investitorë institucionalë që kanë fonde të lira për investim në letra me vlerë, siç janë fondet e pensioneve dhe investimeve.

Në këtë mënyrë, nëse marrim për bazë edhe nivelin e lartë të likuiditetit që ka tregu i brendshëm si brenda dhe jashtë sistemit financiar, kjo alternativë i jep biznesit mundësinë që të gjejë fonde me kosto shumë herë më të lirë se kredia bankare dhe në vlera shumë herë më të mëdha për të financuar aktivitetin”, thotë z. Gjergji.

Në anën tjetër, oferta publike është një mundësi shumë e mirë për të diversifikuar kursimet e qytetarëve në kërkim të normave më të larta të kthimit nga investimit, si dhe një derë e rëndësishme për fondet e pensioneve dhe investimit, ku të mund të diversifikojnë asetet nën administrim, duke sjellë norma më të larta për investitorët e këtyre skemave.

“Nëpërmjet emetimit të titujve të biznesit me ofertë publike, u hapet një dritare shumë e mirë investimi edhe qytetarëve që duan të diversifikojnë kursimet e tyre. Deri më sot, alternativat e mundshme kanë qenë vetëm depozitat bankare, ose titujt e emetuar nga Qeveria shqiptare (bono dhe obligacione thesari) ose fondet e investimit, të cilët ishin investim pasiv përsëri në tituj të Qeverisë.

Emetimi me ofertë publike i titujve nga bizneset private do të shtrojë para qytetarëve mjaft alternativa të mundshme për investime, duke i ndihmuar ata të menaxhojnë, në mënyrë më efikase, kursimet e tyre dhe normat e kthimit në përputhje me qasjen e tyre ndaj rrezikut”, thotë ai.

Sipas tij, jo më pak i rëndësishëm është fakti se listimi nëpërmjet ofertës publike i obligacioneve korporative të NOA do të jetë një mundësi shumë e mirë për testimin e legjislacionit të ri në tregun e kapitaleve, i cili, në dy vitet e fundit, ka pësuar ndryshime drastike.

Nëpërmjet mbështetjes së donatorëve, kuadri ligjor dhe rregullativ në tregun e kapitaleve është përafruar shumë me Direktivat e Bashkimit Europian në tregjet financiare.

Tregu i obligacioneve private ka arritur në 123 milionë euro

Tregu i obligacioneve me ofertë private është rritur me ritme të shpejta në vitet e fundit. Sipas të dhënave të AMF, portofoli i këtyre instrumenteve, i llogaritur si vlera e emetuar dhe ende e pashlyer, arriti në 14.1 miliardë lekë, ose pothuajse 123 milionë euro. Vetëm për vitin e kaluar, vlera e portofolit të obligacioneve është rritur me 4 miliardë lekë, ose 40.6%.

Megjithatë, deri tani, këto instrumente janë emetuar në të gjitha rastet me ofertë private.

Sipas ligjit, obligacionet me ofertë private mund të emetohen nga shoqëritë aksionere dhe të ofrohen për shitje tek investitorë institucionalë dhe te një numër prej deri 100 individësh. Në Shqipëri, këto instrumente kanë nisur të përdoren për herë të parë në vitin 2011.

Emetues të këtyre instrumenteve janë, në pjesën dërrmuese, bankat dhe institucionet financiare. Bankat i kanë përdorur këto instrumente sidomos në funksion të nevojës për të rritur kapitalin rregullator. Rregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit” i njeh instrumentet e borxhit të varur, si pjesë të kapitalit rregullator të bankave, deri në një të tretën e vlerës totale të kapitalit rregullator.

Në vitet e fundit, bankat janë përballur me rritje graduale të kërkesave për kapital, me hyrjen në fuqi të shtesave makroprudenciale të kapitalit dhe të kuadrit rregullator plotësues, i lidhur me skemën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Këto kërkesa të reja i kanë dhënë shtysë edhe më të fortë rritjes së përdorimit të obligacioneve me ofertë private.

Sipas ekspertëve, emetimi me ofertë publike do të sillte një sërë përfitimesh, si zgjerimi i bazës së investitorëve, rritja e transparencës, rritja e shkallës së mbikëqyrjes së tregut dhe më e rëndësishmja, zhvillimin e vetë tregut financiar për këto lloj instrumentesh.

Qeveria: Nxitje bursës së obligacioneve dhe aksioneve të kompanive publike

Qeveria shqiptare miratoi në fund të muajit prill dokumentin politik “Për krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri, 2023–2027”. Dokumenti parashikon disa objektiva konkretë, që përfshijnë institucionet dhe kompanitë publike, si nxitëse të zhvillimit të tregut të kapitalit në Shqipëri.

Më konkretisht, ndër objektivat e përmendura janë emetimi i obligacioneve të kompanive me kapital shtetëror, si dhe realizimi i privatizimit të kompanive me kapital shtetëror, nëpërmjet realizimit të ofertave publike.

Një rekomandim tjetër është edhe përfshirja e Shtetit Shqiptar si aksioner në strukturën e kapitalit të Bursës. Sipas dokumentit, është shumë e rëndësishme që, në kuadër të rritjes së besueshmërisë së tregut, por edhe të kërkesave për anëtarësim në bursë, të cilat, deri tani janë tepër të kufizuara, mund të shikohet mundësia për t’u përfshirë edhe shteti si aksioner në Bursë.

Dokumenti sugjeron gjithashtu mundësinë e pjesëmarrjes shtetërore në Depozitarin Qendror të Titujve. Aktualisht, si depozitar qendror i titujve të qeverisë funksionon sistemi i operuar dhe menaxhuar nga: BSH-ja, AFISAR.

Regjistrimi, klerimi dhe shlyerja e titujve të korporatave dhe kompanive do të realizohen nëpërmjet shoqërisë “Regjistri Shqiptar i Titujve” – ALREG. Dokumenti vë në dukje se, sipas praktikës së vendeve të zhvilluara, regjistrimi, klerimi dhe shlyerja e të gjithë titujve realizohen përmes një institucioni të vetëm të njohur si Depozitari Qendror i
Titujve.

Sipas këtyre praktikave, rezulton se edhe shteti është pjesëmarrës në strukturën aksionere të Depozitarit Qendror.

Objektiva të tjera me rëndësi në funksion të zhvillimit të tregut të kapitalit listohen nxitja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për përdorimin e burimeve të financimit në tregun e kapitalit; nxitja e mëtejshme e zhvillimit të fondeve të pensionit dhe fondeve të investimit; forcimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i tregut të parasë, pasi një treg më i zhvilluar i parasë ndihmon në uljen e kostove dhe menaxhimin më eficient të likuiditetit të kompanive; nxitja e pjesëmarrjes së investitorit institucional në tregun e kapitaleve.

Kjo lidhet me zhvillimin e fondeve të investimit e në veçanti, fondeve alternative të investimit, si dhe me zhvillimin e fondeve të pensionit vullnetar.

Ndër objektivat e tjera të përmendura në dokument është edhe krijimi i një Komiteti Kombëtar, me përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për zhvillimin e tregut financiar, përfshirë edhe zhvillimin e tregut të kapitaleve, i cili do të shërbejë si monitorues i implementimit të politikave dhe njëkohësisht, si rekomandues për nevojën e ndryshimeve ligjore, nxitjen e tregut apo zhvillimin e produkteve të reja.

Gjithashtu, dokumenti rekomandon hartimin e një strategjie kombëtare për edukimin financiar të tregjeve financiare me angazhimin e Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Bankës së Shqipërisë, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe Dhomën e Tregtisë.

Në këtë dokument politik, si pjesë e zhvillimit të tregut të kapitaleve duhet të marrë rëndësi edukimi financiar i investitorëve për tregjet e kapitalit dhe edukimi financiar i emetuesve të këtij tregu.

Objektiva të tjera janë edhe reduktimi i informalitetit të biznesit, duke pasur parasysh se kompanitë që do të listohen në bursë duhet të jenë plotësisht transparente me investitorët dhe të zbatojnë standardet ndërkombëtare të kontabilitetit, si dhe përmirësimi i qeverisjes korporative të kompanive shqiptare. Një nga kushtet kryesore të listimit me ofertë publike është përmirësimi i transparencës dhe mirëqeverisjes së shoqërive.

Qeveria shqiptare do të marrë 15% të aksioneve në Bursën ALSE

Qeveria shqiptare do të bëhet pjesëmarrëse me 15% të aksioneve në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE. Sipas burimeve nga tregu, marrëveshja është rënë dakord në parim mes palëve dhe kontrata pritet të nënshkruhet në muajt në vazhdim.

Një mundësi e tillë është parashikuar edhe në dokumentin politik “Për krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri, 2023–2027”.

Sipas dokumentit, është shumë e rëndësishme që, në kuadër të rritjes së besueshmërisë së tregut, por edhe të kërkesave për anëtarësim në bursë, të cilat, deri tani janë tepër të kufizuara, të shikohet mundësia për t’u përfshirë edhe shteti si aksioner në Bursë.

Hyrja e qeverisë shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si aksioner në Bursë, do të jetë edhe veprimi i parë konkret në mbështetje të dokumentit të mësipërm.

Aktualisht, aksionerë të Bursës ALSE janë Banka Credins dhe Banka Aerikane e Investimeve, me nga 45.59% të aksioneve dhe institucioni financiar AK Invest, me 8.82% të aksioneve.

Hyrja në strukturën aksionere të ALSE përfaqëson rikthimin e qeverisë shqiptare si aksionere në një bursë titujsh, pas përvojës së pasuksesshme me Bursën e Tiranës.

Vitin e kaluar, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) e çregjistroi përfundimisht Bursën e Tiranës nga regjistri i subjekteve financiare të licencuara, sipas kërkesës së paraqitur nga aksioneri i vetëm, Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Ky akt mbylli edhe zyrtarisht ekzistencën e së parës bursë në Shqipëri, që nuk arriti të bëhej asnjëherë një treg titujsh funksionalë.

Bursa e Tiranës e pati origjinën si një departament brenda Bankës së Shqipërisë, i krijuar në maj 1996. Ajo shërbeu si treg primar i emetimit të letrave të borxhit të qeverisë shqiptare deri në vitin 1998, kur ky funksion i kaloi Departamentit të Operacioneve Monetare të Bankës së Shqipërisë. Bursa vazhdoi të funksiononte si treg sekondar, por me aktivitet të pakët dhe që u shua gradualisht.

Në korrik të vitit 2002, Bursa e Tiranës u shkëput nga Banka e Shqipërisë për t’u shndërruar në një shoqëri aksionere, me ortak të vetëm qeverinë shqiptare. Një vit më vonë, në korrik 2003, Bursa e Tiranës mori licencën si treg titujsh nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Gjatë 11 viteve të ekzistencës, Bursa e Tiranës e përqendroi aktivitetin e pakët kryesisht në drejtim të edukimit, promovimit dhe trajnimeve lidhur me instrumentet e tregut të kapitalit. Por, ajo nuk arriti asnjëherë të ushtronte funksionin e saj bazë, atë të tregut të instrumenteve financiarë.

Megjithatë, tashmë qeveria shqiptare ka vendosur të përfshihet sërish si aksionere në Bursë, këtë herë si aksionere pakice, në partneritet me subjekte private./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!