Shqipëria, hap para drejt integrimit/ Deliu: Do duhet të avancojmë me reformat. BE, vëmendje të shtuar ndaj rajonit

schedule18:28 - 15 Tetor, 2024

schedule 18:28 - 15 Tetor, 2024

Ekspertja për çështjet e integrimit, Nirvana Deliu e konsideron historike hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian për grup kapitullin e parë.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Deliu u shpreh se tashmë vendi ynë do duhet të avancojë me reformat.

Deliu shtoi se BE shtoi vëmendjen në Ballkanin Perëndimor, pas luftës në Ukrainë.

“Ishte shumë interesante që u përfol që shumë shpejt mund të hapet edhe grup kapitulli i dytë. Me metodologjinë e re, ne tashmë kemi analizuar që të 33 grup kapitujt që do të hapen dhe do të negociohen, janë ndarë në 6 grupime tematike. Ishte pozitiv edhe lajmi që u dha që brenda vitit mund të kemi hapjen e grup kapitullit të gjashtë. Kryefjala është hapja e grup kapitullit të parë, që do të jetë edhe grup kapitulli goxha sfidues, shumë kryesor. Përfshin gjyqësorin, të drejtat themelore, me pozicionin e ri negociues që Bashkimi Evropian nxorri në këtë takim. Le të shikojmë si orientime dhe udhëzime mjaft konkrete që na jep Komisioni Evropian. Do duhet që të vazhdohen reformat. Të hapësh një grup kapitull nuk do të thotë të mbyllim grup kapitullin pararendës. Do duhet të fokusohemi se cilat reforma janë primare. Sot ishte ditë historike për Shqipërinë, tani fillon procesi i negociatave dhe do e kuptojmë se çfarë realisht do të thotë t’i afrohemi Bashkimit Evropian.

Nuk mund ta quajmë të pamundur. Procesi nuk mund të parashikohet, sado mund të parashikojmë kriteret, mbeten elementë të tjerë që nuk mund t’i parashikojmë dot, siç janë vetot e vendeve. Nëse lëmë mënjanë procesin politik, në procesin teknik mund t’i realizojmë. Duhet parë edhe gatishmëria e Bashkimit Evropian dhe vullneti politik i Bashkimit Evropian për të na pranuar dhe për t’u zgjeruar. Pozitive është që me luftën në Ukrainë, u shtua vëmendja në Ballkanin Perëndimor”, theksoi ajo./abcnews.al