Shqipëria e nis Europianin me Turqinë në shtëpi, në 22 Mars

schedule11:56 / 03/12/2018

Shqipëria i nis me Turqinë dhe i mbyll me Francën eleminatoret e Europianit. Nuk dihet ende nëse “Arena Kombëtare” do të jetë gati për të pritur ndeshjet në kryeqytet.

E fillojmë dhe e përfundojmë në shtëpi.

Kombëtarja shqiptare mëson kalendarin e ndeshjeve eleminatore në Euro 2020, pas koordinimit të bërë në Dublin nga përfaqësuesit e skuadrave të grupit H.

Ndeshja e parë, në 22 mars të vitit të ardhshëm, do të jetë ndaj Turqisë, me shumë gjasë në “Loro Boriçi”, ose në “Elbasan Arena”.

Do të vijohet me dy sfida jashtë fushe, në 25 mars në Andorrë, dhe në 8 qershor në Islandë.

Kalendar i mirë për dy takimet e para, që, nëse kalohen me sukses, bëjnë ta nisim grupin me 6 pikë.

Në 11 qershor presim Moldavinë, ndërsa, në nisje të sezonit të ardhshëm të klubeve, në 7 shtator, shkojmë për të luajtur ndeshjen më të vështirë, atë në fushën e Francës, me shumë mundësi në “Stadë dë Frans”.

Tri ditë më pas, na viziton Islanda, ndërsa një muaj më vonë, në 11 tetor shkojmë në një tjetr sfidë të vështirë jashtë, atë në Turqi, në një nga stadiumet e Stambollit.

Në 14 tetor luhet në Çisinau ndaj Moldavisë, ndërsa në 14 nëntor do të jetë përballja në letër më e lehtë, ajo në Shqipëri ndaj Andorrës.

Mbyllja pritet të jetë një festë, me Francën kampione të botës që viziton vendin tonë, në 17 nëntor, dhe ndeshja do të jetë edhe më intriguese nëse kombëtarja lufton për kualifikim.

Pikëpyetjet mbeten nëse ekipi përfaqësues do të ketë mundësi të luajë në “Arenën e Kombëtares” në kryeqytet apo jo.

Kjo është fjala e presidentit të Federatës, Duka.

Gjithsesi, gjëja më e rëndësishme mbetet që Shqipëria të mund të shkojë sërish në finalet e Europianit. /abcnews.al

schedule11:56 / 03/12/2018