Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ia ka dorëzuar një notë proteste ambasadorit të Shqipërisë në Serbi, Ilir Boçkës. Në deklaratë u shpreh protestë në lidhje me deklaratat e dhëna gjatë mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë më 2 tetor në Tiranë. Serbia shpreh indinjatë ndaj deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për heqjen e kufirit me Kosovën.
“Deklarata të tilla, të cilat nënkuptojnë bashkimin e Shqipërisë dhe provincës serbe të Kosovës dhe Metohisë dhe krijimin e një Shqipërie të Madhe, janë një arsye e justifikueshme shqetësimi, si për Republikën e Serbisë ashtu edhe për vendet e tjera në rajon të angazhuara për ruajtjen e stabilitetit dhe intensifikimin e bashkëpunimit në rajon”, thuhet në njoftimin e ministrisë serbe.
Lidhur me raportimet në lidhje me dorëzimin e një note proteste të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë te përfaqësuesit diplomatikë serbë në Shqipëri, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë njoftoi se i ngarkuari i përkohshëm me punë i ambasadës serbe në Tiranë ishte ftuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë më 6 tetor për t’ia dhënë një notë proteste, ndërsa sipas tyre ai ka refuzuar ta pranonte notën e protestës për shkak të “pikëpamjeve të papranueshme të shprehura në të”.
Ofendimet e ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin ndaj shqiptarëve, por edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama duket se kanë shkaktuar tension të madh diplomatik ndërmjet Tiranës dhe Beogradit zyrtar./ Abcnews.al