Shqipëria e Kosova, në të njëjtin grup në grupet Eleminatore të Europianit U21

schedule15:09 - 11 Dhjetor, 2018

schedule 15:09 - 11 Dhjetor, 2018

Shqipëria dhe Kosova do të jenë në të njëjtin grup në eleminatoret e Europianit U21. Kjo u përcaktua nga shorti I hedhur nga UEFA në Nion të Zvicrës.

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Kosova dhe Shqipëria ishin vënë përballë në futboll, në miqësore, por asnjëherë në një turne zyrtar.

Kjo u ndryshua në mënyrë të pritshme, por gjithsesi dramatike nga shorti i Europianit U21 hedhur në Nion të Zvicrës, I cili vendosi në një grup eleminator, dy ekipet e shqiptarëve.

Skuadra e Rafet Prekazit do të ndeshet me atë të Alban Bushit, në garën kontinentale që do të ketë finalet në 2021 në Hungari e Slloveni.

Ekipi përfaqësues i Kosovës U21, pak a shumë si të rriturit, u paraqit me mjaft dinjitet në eleminatoret e kaluara europiane.

Doli vërtet në vend të pestë në grup, por fitoi 12 pikë dhe ishte vetëm tri pikë larg Norvegjisë së vendit të dytë.

Ekipi ynë Shpresa doli gjithashtu në vend të pestë e të parafundit, por me vetëm 7 pikë dhe shumë larg tre vendeve të para.

Kjo ishte arsyeja që Kosova U21 ishte në vazon e katërt, ndërsa Shqipëria U21 një vazo më poshtë.

Mediat nxituan ta jepnin lajmin.

“Gazeta Ekspres”: Kosova dhe Shqipëria në një grup me Anglinë në kualifikime për Europianin!

“Panorama Sport”: Shorti I eleminatoreve të 21-vjeçarëve, Shqipëria në grup me Kosovën!

Në grupin 3 do të jenë edhe Anglia, Austria, Turqia dhe Andorra.

Kualifikohen direkt për në finale, skuadrat e vendeve të para në 9 grupe, ndërsa dy vendet e dyta më të mira, luajnë në plej of.

Vendet e dyta më të mira pëcaktohen nga rezultatet me ekipet e vendeve të treta, të katërta dhe të pesta.

Ndeshjet fillojnë në 18-20 mars dhe përfundojnë në 5 deri në 13 tetor, me plej ofin të programuar për në 9-17 nëntor. /abcnews.al