Shqipëria e futsallës, Resuli: Po rritemi, kemi hedhur hapa të sigurt

schedule11:38 - 23 Janar, 2021

schedule 11:38 - 23 Janar, 2021

Shqipëria e Futsallit ka filluar ditën e sotme përgatitjet për fazën finale të kualifikuese për Kampionatin Europian 2022. Skuadra e drejtuar nga Erind Resuli është shortuar në një grup me Ukrainën, Kroacinë dhe Danimarkën, në një grup që do të luajë ndeshjet në sistem vajtje-ardhje. Për të folur për dy ndeshjet e para kualifikuese, kundër Kroacisë në transfertën e 27 janarit dhe Ukrainën në shtëpi me 31 janar, sot ka dalë në konferencë për shtyp përballë mediave trajneri Resuli, që ka publikuar dhe listën e lojtarëve të grumbulluar, një listë që ka mungesa të rëndësishme.

Trajneri Resuli ka bërë një panoramë të grupit eliminator dhe gjëndjes së lojtarëve të tij dhe elementët që e formësojnë atë, duke parë mungesat e 4 lojtarëve të rëndësishëm. “Në radhë të parë ne po flasim për një situatë të pazakontë dhe për një situatë që ka dëmtuar jo vetëm sportin por edhe të gjithë ekonominë botërore. Për momentin nga formacioni kryesor ose nga katërmbëdhjetëshja kryesore, na mungojnë 4 lojtarë kryesorë, që është kapiteni i skuadrës, Roald Halimi që ka rezultuar pozitiv në datën 17. Po presim një përgjigje të dytë, që nëqoftëse negativizohet, ta kemi për ndeshjen me Ukrainën që do bëjmë në Tiranë.

Narcis Alibebu, që ka bërë dëmtim në gju, Kemal Gashi, që gjithashtu ka rezultuar pozitiv me covid dhe Julio Cesar De Melo, i cili gjithashtu ka rezultuar pozitiv dhe presim dhe për të, të bëjmë një test tjetër, ndoshta e bëjmë nesër, që ta kemi për ndeshjen kundër Ukrainës. Jemi në një gjendje të pazakontë dhe situata nuk është ajo që duhet të ishte idealja për ne. Do të luajmë me vendin e gjashtë dhe të shtatë në Europë, siç është Ukraina dhe Kroacia. Diskutojmë për ekipe me nivel shumë të lartë, diskutojmë që janë ekipe të nivelit që ne nuk i kishim prekur ndonjëherë, aq më tepër që ne jemi në fazën e grupeve.

Dhe në fazën e grupeve, nuk janë ekipe të nivelit që kemi luajtur deri tani, por janë ekipe të nivelit më të lartë. Do mundohemi me lojtarët që kemi të japim maksimumin dhe të arrijmë targetin apo idetë që kemi në kokë. Përveç Ukrainës dhe Kroacisë, kemi edhe Danimarkën në grup, një ekip i nivelit tonë. Ne do të japim maksimumin te të treja ndeshjet ndaj kundërshtarëve.

 

Lista e lojtarëve të grumbulluar

Ndeshjet tani nuk janë më sistem grumbullimi i gjithë grupi, por duke qënë faza finale për kualifikim në Kampionat Europian janë me sistem vajtje-ardhje. Jemi në një situatë të pazakontë dhe nuk e dimë sesi do të dalim me testet e lojtarëve që kemi, duke shpresuar që të mos kemi të infektuar dhe mungesa. Lista është me 25 lojtarë, 4 janë larguar deri tani, nëse do kemi mungesa të tjera do thërrasim element të tjerë. Shpresoj që testet të jenë negative dhe të përfaqësohemi sa më mirë”.

Nuk kanë munguar pyetjet për objektivin e Shqipërisë në këtë fazë finale eliminatore. “ Kjo është hera e parë që e prekim këtë fazë dhe e kemi të qartë që duke qënë për herë të parë kjo ka të mirat dhe të këqijat e veta, të njohurat dhe të panjohurat. E theksova dhe më lart se në grup janë dy skuadra me nivel shumë të lartë të këtij grupi, me Ukrainën që dikur ka fituar dhe Kampionatin Europian. Objektivi jonë është të përfaqësohemi mirë, të tregojmë vlerat tona dhe se nuk kemi ardhur rastësisht këtu. Nuk duhet të harrojmë se futbolli është i çuditshëm dhe ka edhe të papritura.

Pengun e kam për mungesat, por nuk dua ta them për justifikim, sepse çdo e keqe e ka një të mirë dhe çdo e mirë e ka një të keqe. Kjo ka të mirat e veta sepse ne nuk kemi ç’farë humbasim dhe do të luajmë pa emocion dhe për të humbur kanë ekipet që luajnë kundër nesh sepse janë një nivel më i lartë se ne. Ne do të përballemi me ta denjësisht”.

Futsalli në Shqipëri? “Niveli i futsallit në Shqipëri është rritur shumë me kalimin e viteve. E dini shumë mirë se vite më parë nuk kalonim dot një grup eliminator ndërsa tani jemi në fazën e grupeve elitare për të arritur europianin. Vit pas viti kemi rritur nivelin dhe kemi afruar lojtar cilësor. Niveli vazhdon të rritet, unë po studioj dhe i kam në plan tre katër lojtar të rinj. Rasti për tu përmendur i dy lojtarëve të rinj që kanë luajtur me Italinë dhe kanë pranuar të vijnë të luajnë për ne në vazhdimësi.

Po ndjek dhe lojtarë në Suedi e Danimarkë që do na shërbejnë shumë për të ardhmen. Jam munduar gjithmonë të gërshetoj brezin e ri me brezin e vjetër, siç është rasti tani që kemi lojtar 34 vjeç por edhe 22 vjeçar. Rezultatet tregojnë se hapat janë të sigurtë dhe këtu kemi arritur është për tu përshëndetur grupi lojtarëv, Federata e futbollit për mbështetjen, ka qënë jashtëzakonisht i madh. Dua të falenderoj dhe Ministrinë e Shëndetësisë përzemërsisht sepse na dha mundësinë të përfaqësojmë Shqipërinë në vendin tonë, në një kohë të pazakontë, në një sallë të re dhe do i shpreh mirënjohjen”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!