Trenat më të këqinj në Europë udhëtojnë në Ballkan dhe në Europën lindore. Nis kështu reportazhi i Euronews për gjendjen e hekurudhave në rajon.
Vendi i parë që merret për shembull është pikërisht Shqipëria, ku sipas Euronews që nga nëntori i 2019-ës, asnjë tren pasagjerës nuk ka qarkulluar në shina. Arsyeja është mungesa e fondeve për të paguar karburantin e lokomotivave. Dhe kjo nuk është hera e parë.
Nuk ka asnjë lajmërim zyrtar për sa i përket kohëzgjatjes së situatës, as nga ana e autoriteteve të hekurudhës shtetërore shqiptare. Rinisja e shërbimit në shkurt të këtij viti u dëshmua me filmime amatoriale të anëtarëve të një grupi në Facebook.
Në vitin 2018 një studim i Forumit Botëror të Ekonomisë listoi kompanitë hekurudhore më të mira në Europë duke marrë në konsideratë frekuencën, zbatimin e orareve, shpoejtësinë dhe çmimin e biletës. Mes vendeve të Bashkimit Europian të para në listë janë vendet e ulëta, Finlanda, Gjermania dhe Spanja. Ndërsa vendet më të kqëija në këtë sektor janë:Bullgaria, Sllovenia, Rumania, Greqia dhe Kroacia. Por nëse rrezja e veprimit shtrihet dhe më shumë, pikët e vlerësimit janë edhe më të ulëta.
Në një shkallë nga 1 deri në 7 janë Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut me 2 pikë. Në fund të klasifikimit është pikërisht Shqipëria me 1.2 pikë nga shtatë, pas çdo vendi tjetër në botë.
Një makinist treni në Durrës tregon për Euronews, teksa pret kolegët e tij që të manovrojnë një tren mallrash, se të gjithë vagonët janë vandalizuar, karrocat udhëtojnë pa dritë dhe me xhama të thyer nga sulmet me gurë. Dhe lokomotivat po bien pjesë – pjesë, ndërsa çdo gjë tjetër e mundshme është vjedhur./abcnews.al