Shqipëria do t’i ketë hapur të gjithë grup kapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian në muajin Qershor.
Kështu tha komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos në konferencën e Qendrës për Studime Evropiane në Bruksel.
Kos tha se ka një marrëveshje se më pas do të vijojë mbyllja e kapitujve, që është gjithashtu një proces i rëndësishëm.
“Na duhet që të hapim një grup tjetër kapitujsh me Shqipërinë dhe kjo do të ndodhë në qershor dhe me këtë do të kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave. Më pas do të fillojë mbyllja e kapitujve, që është gjithashtu një proces shumë i rëndësishëm.”
Komisionerja theksoi se gjatë mandatit të saj do të ketë anëtarësime të reja, me meritë, nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe foli për marrëveshjen që ka me kryeministrin Edi Rama.
“Brenda mandatit tim si komisionare për zgjerimin do të kemi anëtarësime të reja në BE nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Me Edi Ramën ne kemi një marrëveshje. Unë gjithmonë insistoj që ky proces të jetë i bazuar në merita, por ne kemi rënë dakord për ta realizuar atë martesë të Shqipërisë me Evropën më në fund.”
Shqipëria vetëm para një jave hapi negociatat në grupin tre, konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse.
Vendi ynë i ka zhvilluar me shpejtësi negociatat e anëtarësimit, falë edhe reformave që janë zbatuar./abcnews.al