Shqipëria dhe Sllovenia forcojnë marrëdhëniet, angazhohen kundër krimit dhe migracionit të paligjshëm

schedule16:51 - 16 Korrik, 2024

schedule 16:51 - 16 Korrik, 2024

Shqipëria dhe Sllovenia forcojnë marrëdhëniet në fushën policore dhe angazhohen për masa kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, priti në një takim drejtorin e përgjithshëm të Policisë Sllovene, Senad Jusiç, në kuadër të vizitës që po zhvillon në Tiranë, me ftesë të Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, një delegacion i Republikës së Sllovenisë, i kryesuar nga Ministri i Brendshëm, Bostjan Poklukar.

Rrumbullaku vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë mes dy policive, mbështetur në tre marrëveshje bazë, të nënshkruara nga Qeveritë e Shqipërisë dhe Sllovenisë.

Ky bashkëpunim ka qenë efektiv, veçanërisht në kuadër të INTERPOL-it dhe EUROPOL-it.

“Sfidat e reja të sigurisë, angazhimi i përbashkët kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm, krahas numrit të shtuar të turistëve sllovenë, të cilët vizitojnë Shqipërinë, na shtyjnë drejt rivlerësimit të marrëveshjeve ekzistuese mes dy vendeve. Ka ardhur momenti për të konsoliduar ndërveprimin në fushën policore, duke u bërë ballë edhe fenomeneve të reja në fushën e sigurisë”, u shpreh drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Sllovenisë falënderoi Policinë e Shtetit shqiptar për bashkëpunimin dhe mundësinë e takimit dypalësh, ndërsa u shpreh se fusha të ndryshme, si krimi kompjuterik dhe kibernetik, duhet të trajtohen me profesionalizëm, krahas goditjes ndaj krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm.

Për shkak të numrit të lartë të pushuesve, Policia Sllovene do të sjellë në Shqipëri një atashe, i cili do të ndihmojë edhe komunikimin me autoritetet shqiptare.

Në këtë kuadër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare përmendi se, gjatë vitit të shkuar nuk është shënuar asnjë ngjarje kriminale, ku të jetë cënuar siguria e turistëve. Vetëm nga Sllovenia, numri i shtetasve që kanë hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2023 ka qenë rreth 22 mijë.

Policia e Shtetit dhe Policia Sllovene ranë dakord të punojnë bashkërisht për rishikimin dhe plotësimin brenda vitit 2024 të marrëveshjes mes dy qeverive mbi bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit, trafikut të paligjshëm, drogës dhe krimit të organizuar, nënshkruar më 24.11.1993.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!