TIRANË– Shqipëria është më shumë se një pushim në plazh, pasi po transformohet në një destinacion të nivelit të lartë turistik. Mediat e huaja pothuajse çdo ditë raportojnë për peizazhin dhe mundësitë unike, që ofron Shqipëria për vizitorët dhe turistët.
Së fundmi, prestigjiozja britanike “The Times” i ka kushtuar një artikull të gjatë Shqipërisë dhe potencialit të saj turistik.
Sipas saj, tashmë investitorë të fuqishëm po tregojnë interes për sektorin e turizmit ndërsa në vend operojnë aktualisht disa marka prestigjoze ndërkombëtarë te rrjeteve te hotelerisë
Ky interes i shtuar i turistëve të huaj për Shqipërinë u komentua nga specialistë të fushës. Operatori turistik, Besnik Vathi i ftuar në “Money Report” në ABC News tha se Shqipëria duhet ta marketojë veten pranë tregjeve europiane, të cilat kanë kapacitet financiar.
Ai theksoi e Shqipëria disponon ofertë të pasur turistike, por sfidë mbetet gjetja e njerëzve, të cilët shpenzojnë para dhe shtojnë netë-qendrimet në strukturat akomoduese. Prezencën e Shqipërisë nëpër panaire ndërkombëtare të turizmit Vathi e cilësoi si qasje të drejtë.
“Më shumë promovim për turistët që shpenzojnë më shumë. Objektivi duhet të jenë tregjet evropiane të turistëve. Marketimi duhet adresuar te tregjet, që gjenerojnë të ardhura nga turizmi. Kemi ofertë të pasur. Kemi turistë nga Gjermania, Anglia dhe Italia. Me pjesëmarrjen e Shqipërisë në panairin e Berlinit shpresoj që të kemi një rritje të interesit të turistëve drejt Shqipërisë për të konsumuar jo thjesht plazhet, por për të konsumuar të gjithë atë që Shqipëria ofron sot. Pjesëmarrja në panairin e Madridit është shumë e rëndësishme. Duhet të rritet pjesëmarrja nëpër panaire”, tha ai.
Ai pohoi se turizmi kërkon investime në infrastrukturë. Sa i takon rajonit të jugut, Vathi u shpreh se me ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, ajo pjesë e vendit do të gjallërohet pasi turistët do kenë më shumë mundësi zgjedhjeje në dorë të tyre.
“Aeroporti i Vlorës me shumë rëndësi, sepse afrohet ardhja e turistëve të huaj pranë rrjetit të vendit ku do bëhen pushimet. Është e domosdoshme. Zona e Vlorës dhe rajoni i jugut të duhet të ketë ulje të çmimeve në total si mesatare”, pohoi ai./abcnews.al