Nga Erisa Zykaj
27 ambasadorët e Bashkimit Europian diskutojnë sot draft-konkluzionet mbi evolucionin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian. Qëllimi kryesor i këtij diskutimi është aprovimi i konkluzioneve për zgjerimin, që nuk u arrit gjatë takimit të ministrave të çështjeve europiane të Bashkimit Europian në 8 dhjetor. Në përfundim të takimit të 8 dhjetorit, presidenca gjermane shprehu zhgënjimin e saj për mungesën e aprovimit të kuadrit negociues me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe konkluzioneve për zgjerimin. Ajo u angazhua për të bërë përpjekje deri në fund të afatit të kësaj presidence, 31 dhjetor.
Si rrjedhim, presidenca gjermane ka bërë një ndryshim në draft-konkluzionet e 15 dhjetorit në paragrafin e tetë kushtuar marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal. Në fund të këtij paragrafi, duke ju referuar rëndësisë dhe zbatimit të marrëveshjes së Prespës dhe Traktatit të miqësisë me Greqinë, si dhe marrëveshjen e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, thuhet “Këto dy hapa madhorë duhet t’i japin fund pretendimeve bazuar mbi intepretim të gabuar të historisë”. Ky ndryshim i presidencës gjermane mund të krijojë premisa për aprovimin e konkluzioneve për zgjerimin.
Lidhur me draft-konkluzionet për Maqedoninë e Veriut, dokumenti i 15 dhjetorit i referohet mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur pas aprovimit të kuadrit negociues me vendin. Për Shqipërinë, draft-konkluzionet nuk kanë ndryshuar. Parakushtet për t’u plotësuar para mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare mbeten zbatimi i reformës zgjedhore, funksionimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese, i Gjykatës së Lartë, i strukturave anti-korrupsion si BKH dhe ndryshimi i ligjit të mediave sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias./ Abcnews.al