Shqipëria do ta luajë në “Arenën Kombëtare” ndeshjen e Europianit ndaj Moldavisë. Federata Shqiptare e Futbollit njofton zyrtarisht se stadiumi do të jetë gati në 11 Qershor.
E ka më në fund datën se kur do të jetë gati. “Arena Kombëtare” do të hapet zyrtarisht në 11 Qershor dhe do të presë ndeshjen Shqipëri-Moldavi, të eleminatoreve të Europianit. Federata Shqiptare e Futbollit njofton zyrtarisht se punimet do të përfundojnë në kohën e duhur dhe se stadiumi do të jetë gati për sfidën me moldavët.
Interesant është fakti, se në faqen zyrtare të saj, është vendosur emri i Sheshit Italia, pra sheshit para stadiumit, por jo ai i “Arenës Kombëtare”, ndoshta sepse impianti ende nuk e ka një të tillë. Kjo do të thotë se është zgjidhur ngërçi me qeverinë për financimin e impiantit dhe se Federata do të tërhiqet nga padia e bërë në Gjykatën Administrative, rreth 4-5 javë më parë edhe pse zyrtarisht në Federatë nuk dinë të të thonë nëse kjo ka ndodhur apo do të ndodhë shpejt.
Me gjasë, qeveria do të rimbursojë TVSH-në, një shumë që kap vlerën e mbi 2 milionë eurove. Presidenti i Federatës, Duka, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Shulku, ndodhen në Romë për Kongresin e UEFA-s, dhe konfirmimi vjen prej tyre. Duket se akordi me qeverinë duhet të jetë bërë shpejt dhe papritur, aq sa i ka zënë në befasi zyrtarët e Federatës që ndodhen në Tiranë.
Duka dhe Shulku kanë instruktuar zyrën e shtypit që të informojë se sqarimet e mëtejshme do të jepen kur ata të kthehen në Shqipëri. Nuk dihet nëse qeveria ka vendosur gjithashtu të japë 25 për qind të shumës totale të shpenzimeve për ndërtimin e stadiumit, gjë që i takon sepse është aksionere me 25 për qind në Shoqërinë Kuqezi./abcnews.al