Shqipëri: Gjuha e urrejtjes në fushatë, shqetësim për mbrojtësit e të drejtave të njeriut

schedule21:36 - 19 Prill, 2021

schedule 21:36 - 19 Prill, 2021

Fushata e partive politike për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit në Shqipëri po monitorohet nga disa institucione të pavarura dhe organizata të shoqërisë civile, lidhur me përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe denigrimit. Aleanca Kundër Gjuhës së Urrejtjes dhe Këshilli shqiptar i Medias konstatojnë se ka një tejkalim të gjuhës politike, në denigrim, përçarje dhe fyerje publike. Duke shigjetuar më së shumti përfaqësues të shumicës qeverisëse për përdorimin e saj, drejtues tolerancës thonë, se një gjuhë e tillë është vënë re në disa raste dhe në kundërpërgjigjet e kundërshtarëve politikë. Shqetësuese për Aleancën kundër gjuhës së urrejtjes mbetet denigrimi i grave dhe personave me probleme të shëndetit mendor.

Në Shqipëri ka një shqetësim qytetar në rritje mbi gjuhën e urrejtjes që përdorin partitë politike. Kjo ka nxitur përfaqësues të disa institucioneve të pavarura dhe organizata të shoqërisë civile qëme ndihmën e Këshillit të Europës, të monitorojnë fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. Ata kanë hartuar një kod etik që është firmosur nga partitë kryesore, i cili synon të parandalojë dhe të evidentojë përdorimin e retorikës së urrejtjes dhe të denigrimit nga subjektet zgjedhore dhe kandidatët e tyre.

Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi, Avokati i popullit dhe Këshilli Shqiptar i Medias, që përbëjnë Aleancën Kundër Gjuhës së urrejtjes të mbështetur nga KQZ dhe AMA, konstatojnë disa problematika.

 

“Vihet re një gjuhë e papërshtatshme, që përdoret nga eksponentët politikë, nga forca të ndryshme politike, që është shqetësuese, sepse në pjesën më të madhe adresohet tek grupet më të pamundura dhe më vulnerabël në shoqërinë tonë. Kam parasysh këtu personat me aftësi të kufizuar, gruan, komunitetet rome dhe egjiptiane. Ndoshta jo e përkufizueshme në terma konkretë si gjuhë urrejtje, por gjithsesi një lloj tejkalimi i përdorimit të gjuhës dhe një papërshtatshmëri, e cila në këndvështrimin tim është dhe evitueshme nga eksponentët e ndryshëm”- tha për Zërin e Amerikës Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Avokati i Popullit, bazuar në monitorimin që po kryhet, thotë se është vënë re një retorikë e ashpër në fushatë. Znj. Erinda Ballanca shprehet se ajo është nxitur nga PS, dhe se në disa raste sipas saj ka kundërpërgjigje po me të njëjtën gjuhë nga kundërshtarët politikë.

Duke iu referuar konkretisht njw spoti,të cilit i bëri jehonë në llogarinë të tij në facebook, kryetari i bashkisë së kryeqytetit njëkohësisht drejtues politik i PS për qarkun e Tiranës, Avokati i Popullit mendon se ky është një shembull i denigrimit të personave që vuajnë nga shëndetitmendor.

“Në fakt spoti ishte shumë shqetësues, i cili përmban problematika në dy nivele. Porblematika e parë ështëvënia në foksus të këtij spoti me konotacion negativtë një problemi shëndetësor.Në asnjë rast një gjë e tillë nuk duhet të bëhet. E dyta ka të bëjë me stigmatizimin e një grupi të tërë shoqëror duke u pretenduar, se personat e moshës së stretë, nuk duhet të luajnë një rol aktiv në vendimamrrjet politike në Shqipëri” – shprehet për Zërin e Amerikës Erinda Ballanca, Avokat i Popullit.

Edhe Këshilli Shqiptar i Medias ka evidentuar raste shqetësuese të përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe denigrimit, në fushatën zgjedhore.

“Gjuha e denigrimit mund të përfshijë shumë grupe. Drejtohet kundër grave. Ne pamë prezantimin e kryeministrit. Ishte targetuar një kandidate vetëm se është grua dhe me qëllimin për ta denigruar si femër. Pashë edhe një spot elektoral ku stigmatizoheshin njerëzit me probleme të shëndetit mendor. Pra gjuha e urrejtjes mund të jetë bazuar edhe mbi një sëmundje, sikurse mund të jetë etnike, kur përpiqesh të fusësh konflikt duke thënë ky i grekëve, ky i çameve dhe duke i përplasur bashkë. Dhe ne nuk kemi përse habitemi që njerëzit në nivel lokal apo periferik janë agresiv dhe të dhunshëm, sepse ky është mesazhi që marrin dhe kjo është gjuha me të cilën ushqehen” – tha për Zërin e Amerikës Koloreto Cukali, Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Shqiptar të Medias.

Kandidati demokrat për deputet në qarkun e Tiranës Agron Shehaj thotë se PD e ka shmangur gjuhën e urrejtjes. Ai nuk mohon të ketë patur edhe raste kur përfaqësues opozitarë të sulmuar nga kundërshtarët, siç thotë Z. Shehaj, të kenë reaguar negativisht, por në asnjë rast, sipas tij, kjo nuk nxitet dhe mbështetet zyrtarisht nga PD.

“Qëllimi i përdorimit tëgjuhës së urrejtjes dhe i sulmeve personale është i qartë. Kjo gjuhë synon të zhvendosë vëmendjen nga çështjet e rëndësishme të Shqipërisë siç janë papunësia korrupsioni, largimi i të rinjve etj. në debate të lidhura me akuza banale. Po flasim për një fushatë denigruese dhe intimiduese. Dhe ka një strategji nga pas, nuk është rastësi” – u shpreh për Zërin e Amerikës Agron Shehaj, Kandidat i PD për deputet në Qarkun e Tiranës.

Këshilli Shqiptar i Medias thotë se pas retorikës së ashpër në fushatë fshihet paaftësia për të prezantuar ofertat politike.

“Është një fushatë e vobektë ,sidomos në ide dhe oferta politike. Unë jam i shqetësuar edhe si qytetar për këtë, sepse pres të di si do të qeverisem nesër, dhe jo se sa gallataxhi apo batutaxhi është njëri apo tjetri. Kjo gjë mua nuk po më ofrohet dhe ky është një problem i madh, i cili dëmton sidomos komunikimin. Shqipëria nuk duhej të ishte kështu dhe komunikimi ynë s’duhet të ishte i tillë” – vijon Koloreto Cukali Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Shqiptar të Medias.

Avokati i Popullit konstaton se ndjeshmëria qytetare për ta refuzuar agresivitetin politik është rritur dhe se njerëzit po orientohen drejt alterantivave.

“Alernativa që unë i jap si politikan popullit e shtresëzuar për secilin grup dhe për secilën kategori është ajo për të cilën ata duhet të më votojnë. Dhe nuk besoj se qytetarët do të votojnë ndokënd sepse vetëm shan kundërshtarin. Një gjë e tillë në fakt nuk duhet të jetë. Është shumë e lehtë të shash” – u shpreh Erinda Ballanca, Avokat i Popullit.

Zëri i Amerikës ju drejtua dhe zyrës së shtypit të kryeministrit Edi Rama lidhur me problematikën e përdorimit të gjuhës së urrejtjes në fushatë por nuk mori përgjigje.

Pas pak ditësh më 25 prill qytetarët shqiptarë do ti drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në parlament. Shumica e majtë qeverisëse kërkon një mandat të tretë dhe grupimi i djathtë synon të vijë në pushtet pas një qëndrimi 8 vjecar në opozitë.

Koalicioni kundër gjuhës së urrejtjes mendon se mbështetja e standardeve etike nga partitë politike është thelbësore për të siguruar integritetin e demokracisë shqiptare, jo vetëm në arenën elektorale, por dhe me gjerë në kuadër të proçeseve politike dhe shoqërore./VOA