Shqipëria ia ka dalë të fitojë me lehtësi ndaj Moldavisë, me rezultatin 4-0. Cikalleshi, Bare dhe Trashi shënuan për kuqezinjtë që në pjesën e parë, ndërsa në të dytën Manaj me finte plotësoi “pokerin”. Tre pikë që na mbajnë vendin e katërt dhe deri në fund mbetet të luftohet për t’u ngjitur me një shkallë.
PJESA E PARË – Shqipëria që në fillim u mundua të tregojë se donte të komandonte lojën dhe të shënonte. Moldavia nga ana tjetër mbrohej me forca të shumta, duke tentuar më pas kundërsulmet. Rezistenca zgjati pak më shumë se 20 minuta, pasi Sokol Cikalleshi me mjeshtëri shmangu një mbrojtës në zonë dhe topi i gjuajtur prej tij shkoi drejt e në rrjetë.
Kuqezinjtë nuk tërhiqen dhe kërkojnë të realizojnë edhe golin e qetësisë dhe për këtë në ndihmë u erdhi portieri i Moldavisë, Koşelev, i cili nuk e kontrolloi si duhet një top në zonë dhe Bare me portën e boshatisur shënoi. Vendasit trullosen dhe nuk vonuan të gabojnë sërish, këtë herë në mbrojtje. Lorenc Trashi me një të majtë potente shënoi edhe golin e tetë të takimit. Kaq për pjesën e parë, pasi pesë minutat e mbetura dhe koha shtesë nuk sollën asnjë ndryshim.
Melodia ishte e njëjtë, por Moldavia në dy raste iu afrua golit. Shqipëria vijoi të dominonte dhe traversa e ndali Keidi Baren në minutën e 55-të. Abrashi pak minuta më vonë dhuroi spektakël në fushë, por goditja e tij u ndal. Vendasit nuk kishin fuqi të bënin përpara dhe goditja e parë në portën në minutën 87-të është një tregues i qartë. Në shtesë kishte kohë edhe për një gol tjetër, me autor Rey Manajn që mori një pasim të bukur nga Roshi dhe shënoi. Fieraku në fund mund të shënonte edhe të pestin, por nuk ndodhi. Katër gola dhe Shqipëria mori pikët e plota.
KUALIFIKUESET E EURO 2020
MOLDAVI-SHQIPËRI 0-4
Shënues: Cikalleshi 22′, Bare 34′, Trashi 40′, Manaj 91′
MOLDAVIA: Koşelev, Reabciuk, Mudrac (Rozgoniuc 30′), Posmac, Ioniţa (C), Cebotaru, Prepeliță, Suvorov (Boiciuc 60′), Anton, Sidorenco (Sandu 80′), Graur. Trajner: Semen Altman
SHQIPËRIA: Strakosha, Ismajli (Kumbulla 89′), Dermaku, Djimsiti, Veseli, Bare (Selahi 89′), Gjasula, Abrashi, Lenjani, Manaj, Cikalleshi (Roshi 76′). Trajner: Edoardo Reja
Karton të verdhë: Mudrac 29′, Graur 38′, Cebotaru 58′, Reabciuk 62′, Prepelita 81’/ Bare 46′, Cikalleshi 57′, Gjasula 81′, Reja 82′
/abcnews.al