Firma “Shq1pe” është një brand i rrobave në Nju Jork mjaft i njohur për stilin urban, sidomos mes të rinjve.
Bashkëthemeluesi i saj, sipërmarrësi Ervin Toro, në një intervistë për emisionin “ABC e Mëngjesit” në ABC News, ndau detaje nga jeta e tij si emigrant në SHBA dhe krijimin e brandit të tij që flet shqip.
Ndër të tjera ai zbuloi dëshirën e tij për tu rikthyer në Shqipëri, ku tha se ka dëshirë që të kontribuojë në vendin e tij.
“Kam ardhur në Amerikë në vitin 1997 me lotarinë amerikane. Erdhëm në New York. Në atë kohë nuk ka pasur shumë shqiptar në New York. E rëndësishme është që mbaj ndjenjën e atdhetarizmit në këto 26 vite larg Shqipërisë. Jam krenar që çdo vit tashmë bëhet parada e shqiptarëve që jetojnë në New York.
Në vitin 2008 bëra paradën e parë dhe kam arritur të mbledh rreth 2000 veta. Ndërsa tani jemi më shumë.
Unë e kam menduar të kthehem pas në Shqipëri, bashkë me nusen. Dua të kontribuojë në vendin tonë. Nusja ime është shqiptare, por ka lindur këtu në SHBA. Çmimet janë të përballueshme. Unë punoj në burimet njerëzore në një bankë angleze, atë e kam profesion, ndërsa kjo është si ide, projekt., pasi aktivitetet ne tema atdhetari“, tha ai.