Shpyllëzim rekord gjatë qershorit në Amazonë, Brazili pezullon përgjegjësen e monitorimit

schedule15:52 - 14 Korrik, 2020

schedule 15:52 - 14 Korrik, 2020

Qeveria braziliane ka pezulluar nga posti i saj koordinatoren e përgjithshme të Vëzhgimit të Tokës, të agjencisë hapësinore kombëtare në vend. Departamenti i saj është përgjegjës për monitorimin satelitor të pyjeve në Amazonë.

Pezullimi i saj vjen tri ditë pas publikimit të të dhënave për shpyllëzimin në muajin qershor, të cilat konfirmojnë një rekord të ri në shkatërrimin e rajonit. Të dyja faktet nuk janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë, pasi agjencia hapësinore deklaroi se ndryshimi është pjesë e një riorganizimi të brendshëm për përmirësimin e performancës.

Gjithsesi koincidenca shihet me dyshim dhe shoqërohet me kritika, ndërsa organizatat ambientaliste denoncojnë se mund të bëhet fjalë për një situatë të ngjashme me pezullimin nga puna të një viti më parë të ish drejtorit të agjencisë. Nuk është një mister armiqësia e presidentit brazilian Bolsonaro ndaj ambientalistëve dhe mbrojtësve të territorit dhe të popullsisë indigjene.

Ndërsa shfrytëzimi ekonomik i pyllit, me hapjen e minierave dhe shpyllëzimit, është vatër e konflikteve të shumta. Një javë më parë dhjetëra sipërmarrje braziliane në një letër dërguar zëvendës presidentit të vendit që drejton dhe këshillin e qeverisë në atë rajon, kërkuan marrjen e masave të menjëhershme kundër shpyllëzimit. Sipas të dhënave të agjencisë, janë më shumë se një mijë kilometër katrorë pyje që janë shkatërruar në muajin qershor një rekord i ri që nga 2015.

Nga janari në qershor shpyllëzimi total i Amazonës braziliane preku më shumë se 3 mijë kilometra katrorë, 25 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vëmendja është shumë e lartë aktualisht dhe pse vendi po i afrohet sezonit të zjarreve, kur pronarët e tokave përdorin zjarrin për të djegur bimësinë. Në muajin maj të një viti më parë, pas kritikave të shumta presidenti Bolsonaro urdhëroi ushtrinë që të ndalonte shpyllëzimin,tashmë në nivelet më të larta prej 11 vitesh. Gjithsesi të dhënat e agjencisë hapësinore tregojnë se shpyllëzimi vazhdon me ritme të larta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!