Shpronësohet toka për ndërtimin e varrezave greke në Këlcyrë

schedule23:03 - 11 Dhjetor, 2019

schedule 23:03 - 11 Dhjetor, 2019

Qeveria ka miratuar sot shpronësimin për interes publik të pronarit të pasurive të paluajtshme pronë private, që preket nga ndërtimi i varrezave të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941 në Këlcyrë. Pasi të shpronësohet nga tokw bujqësore, statusi i pronës do të kalojë në tokë për varreza.

Varrezat greke në Këlcyrë po ndërtohen pas marrëveshjes mes Tiranës dhe Athinës në 25 mars të vitit 2010 për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941.

Vendimi i Këshillit të Ministrave:

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR NDËRTIMIN E VENDPREHJEVE TË USHTARAKËVE GREKË TË RËNË GJATË LUFTËS GREKO-ITALIANE TË VITEVE 1940-1941” DHE PËR MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË TOKË URBANE “TRUALL/VARREZA”, TË PASURIVE ME NR.364/20 DHE NR.364/21, ZONA KADASTRALE 2131, NË KËLCYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10256, datë 25.3.2010, “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë””, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, dhe në vijim të vendimit nr.742, datë 13.12.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr.10256, datë 25.3.2010”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i projektit “Për ndërtimin e vendprehjeve të ushtarakëve grekë, të rënë gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941”, në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr.10256, datë 25.3.2010.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Ministrisë së Mbrojtjes.

3. Pronari i pasurive të paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “arë”, me vlerë 448 000 (katërqind e dyzet e tetë mijë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 448 000 (katërqind e dyzet e tetë mijë) lekësh dhe shpenzimet procedurale, në vlerën 59 000 (pesëdhjetë e nëntë mijë) lekë do të përballohen nga Ministria e Mbrojtjes.

5. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

6. Pronari, sipas të dhënave të tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur pranë Ministrisë së Mbrojtjes certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit.

7. Ministria e Mbrojtjes të kryejë procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

8. Afatet për kryerjen e punimeve të jenë në përputhje me parashikimet e projektit “Mirëmbajtja, rinovimi dhe zgjerimi i varrezave të grekëve të rënë në luftën e viteve 1940-1941 në Këlcyrë, Shqipëri”.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë në favor të shtetit.

10. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në tokë urbane “truall/varreza”, të pasurive me nr.364/20 dhe nr.364/21, zona kadastrale 2131, në Këlcyrë, sipas të dhënave në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi.

11. Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Qarku Gjirokastër, të pasqyrojë ndryshimin e kategorisë së resursit në dokumentacionin kadastral për pasuritë, sipas të dhënave në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi.

12. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit.

13. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Qarku Gjirokastër, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”“, thuhet në Vendimin e Këshillit të Ministrave./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!