Shpresa vdes e fundit/ Kombëtarja barazon ndaj Çekisë në Nations League, “Kuqezinjtë” nuk bindën, por ka shanse për vendin e parë

schedule16:56 - 17 Nëntor, 2024

schedule 16:56 - 17 Nëntor, 2024

Mund të mos ia dalim, madje shanset janë shumë më të vogla.

Natyrisht, nuk është turp kur Shqipëria barazon me Çekinë, dy herë nënkampione e botës, si dhe kampione e nënkampione e Europës në të kaluarën.

Turp nuk do të kishte qenë as humbja.

Gjithsesi, pritej më shumë nga një ekip që festoi një vit më parë në Moldavi, duke marrë kualifikimin për në finalet e Kampionatit Europian.

Nëse jo patjetër fitore, pritej që të luhej më mirë.

Kjo gjë nuk ndodhi në barazimin 0-0 me çekët, ndërsa në “Arenën Air Albania” u kthyen fantazmat e disfatës me Gjeorgjinë.

Rivali ishte më lart, ndërsa në formacionin tonë u duk se thuajse asgjë nuk funksionoi në fazën sulmuese.

Kjo, edhe pse në fushë ishin Bajrami, Asllani e Asani, I cili më pas u dëmtua.

Shqipëria ishte një kontrast I madh me Kosovën që shkëlqeu me lojë në Rumani, edhe pse nuk mori tri pikët.

Kur kërkon fitoren, por lojën e bën kundërshtari, kjo do të thotë se nuk ke forcën për të arritur objektivin.

Gjithsesi, faktet janë kokëforta.

Çekët mbajtën topin 57 për qind, goditën dy herë shtyllat e portës sonë, bënë 110 pasime më shumë se ne, dhe patën 6 goditje nga këndi ndaj vetëm dy të kuqezinjve.

Kjo, edhe pse gjuajtjet ishin të barabarta.

Natyrisht, shanset për vendin e parë në grupin tonë në Ligën e Kombeve ekzistojnë, edhe pse nuk jemi ne favoritët.

Vendin e parë tashmë mund ta arrijmë nëse fitojmë me Ukrainën dhe Çekia e Gjeorgjia dalin barazim, ose nëse mundim ukrainasit me tre gola diferencë më shumë sesa suksesi I Gjeorgjisë, apo me dy gola më shumë, por me kusht që të rrisim shumë numrin e rrjetave të shënuara.

Për momentin, gjeorgjanët kanë 6 gola të shënuar ndaj vetëm 3 të Shqipërisë.

Gjithsesi, duket e vështirë që të shënojë shumë një ekip që ka vetëm tri rrjeta në 5 ndeshje deri tani.

Nëse shikojmë ndeshjet në grup, kombëtarja kurrë nuk ka pasur epërsi në lojë ndaj rivalëve, duke qenë gjithmonë inferiore në zotërim topi.

Kjo, edhe në fitoren 2-1 ndaj Ukrainës në Pragë, ku mbajtëm topin vetëm 41 për qind, dhe kishim 12 gjuajtje ndaj 16 të kundërshtarit.

Ndaj Gjeorgjisë në Tiranë nuk patëm asnjë goditje në kuadrat, në Çeki ia dolëm vetëm dy herë dhe mbajtëm topin 39 për qind.

Edhe në Gjeorgji, epërsia ishte e vendasve me 64 për qind mbajtje topi, 16-10 gjuajtjet dhe 11-3 kornet.

Këto statistika nuk janë për një ekip që meriton vendin e parë në grup. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!