Shkrimtari i njohur Stefan Çapaliku ka zbuluar prapaskenat e krijimit të veprës së tij më të re, “Shkodra Express”, gjatë një interviste në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News. Ai tregoi se libri është fryt i një pune shumëvjeçare, i mbledhjes së kujdesshme të materialeve dhe i një përkushtimi të veçantë ndaj folklorit qytetar, një fushë ku, siç theksoi, mungojnë burimet dhe studimet e bollshme.
Çapaliku e përshkroi librin si një udhëtim në shpirtin dinamik të Shkodrës, një qytet që në rrëfimin e tij shfaqet si një organizëm i gjallë, i lidhur ngushtë me motivin e kohës dhe të humbjes së saj.
Struktura narrative e veprës ndërtohet mbi figurën e një personazhi që vjen “nga jashtë-brenda”, një qasje e njohur, por e përdorur nga autori për të sjellë një perspektivë të re mbi qytetin dhe historinë e tij.
“Shkodra Express është një libër i shkruar për një kohë të gjatë. Është libri me të cilin unë jam marrë shumë gjatë, më shumë se me çdo libër tjetër, për shkak se nuk bëhet vetëm për një ditë. Nuk është një çështje frymëzimi, pasi duhet të mblidheshin materiale. Është një libër i fokusuar tek folklori qytetar dhe këtë nuk e ke të thjeshtë, pasi nuk ka burime dhe shumë libra për të.
Një libër që tregon shpirtin e vërtetë të qytetit, një shpirt dinamik i cili lëviz në një mënyrë të pavarur në picën e lartë të asaj se çfarë ndodh në politikë, por edhe në histori në përgjithësi. Duhet ndalur koha. Prandaj në këtë kuptim libri nis me një qytet që i ka vdekur koha, që nuk ka një sahat për të matur kohën. Qyteti vet si një organizëm i gjallë. Motivin e orës e kam në disa vepra të miat. Struktura e librit është një personazh që vjen nga jashtë-brenda. Është një strukturë shumë e njohur e narratives”, tha Stefan Çapaliku.

