Shpëtuan nga bombat para 5 vitesh, ukrainasit në Shqipëri: Kam prindërit në luftë, dua të kthehem

schedule18:20 - 24 Shkurt, 2022

schedule 18:20 - 24 Shkurt, 2022

Nga Beklie Koltraka

Raketat e hedhura nga Rusia mbi Ukrainën në orët e para të mëngjesit shënuan nisjen e luftës. Sirenat e emergjencës gjëmuan në kryeqytetin e Kievit, në orën 5:55 të mëngjesit me orën e Moskës, duke zgjuar të alarmuar qytetarët të cilët kanë filluar të largohen masivisht për shkak të frikës nga lufta.

Si mijëra qytetarë sot, 5 vite më parë, Iryna Odyntsova zgjodhi të braktisë vendlindjen e saj Donetskun për shkak të luftës, duke ardhur në Shqipëri për një jetë më të qetë. Në një intervistë për abcnews.al ajo rrëfen përjetimet e tmerrshme në vendlindjen e saj, sot nën pushtimin e Vladimir Putin, që kur njohu pavarësisë e rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk.

“Jam nga Donetsku. Kam jetuar atje para luftës, por kam 5 vjet që jetoj në Shqipëri. Kjo situatë është shumë e vështirë për mua. E kam të vështirë të flas në këto momente! Jeta ime është atje”, tha ajo për abcnews.

Vendimin e Putin për të njohur rajonet e Donetskut dhe Luhanskut si shtete të pavarura, Odyntsova thotë se nuk e ka përjetuar mirë. “Jo! Donetsk është Ukrainë”, thotë ajo duke e kundërshtuar me forcë.

5 vite më parë u largua nga Donetsku e tmerruar nga bombardimet e forcave ruse. Ndonëse ka filluar jetën e saj nga e para në Durrës ku punon në një pastiçeri, Odyntsova kokën dhe zemrën e ka në Ukrainë. Ajo thotë se atje ka prindërit të cilët e kishin të vështirë të braktisnin shtëpinë.

Lufta më detyroi të largohem! U bombarduam! Luftë për 8 vjet. Ika nga lufta. Ato vite ishin shumë të frikshme. Të bombarduar gjithë natën. Prindërit e kishin të vështirë të largohen nga shtëpitë e tyre, por u zhvendosën tani”, shtoi ajo.

Tmerrin që po e shikon sot e gjithë bota, ajo tregon se e ka përjetuar për ditë e netë me radhë në Donetsk. Mesazhi i vetëm që mundi të japë nga Shqipëria për bashkëkombasit e saj që po bëjnë luftë për mbijetesë në Ukrainë është ky: Ju uroj një qiell të qetë mbi kokën tuaj!  Natën e mirë dhe ditën e mirë!  Uroj që i gjithë ky tmerr të ndalet menjëherë!  Jeta e njeriut është e çmuar”.

Kostantin Mahalov një tjetër qytetar ukrainas, që prej disa vitesh jeton në Durrës, është tronditur nga zhvillimet e fundit në Ukrainë, pasi atje ka të afërmit e tij dhe miqtë. Për të shpëtuar të afërmit e tij nga ky tmerr ai shpreh dëshirën për të shkuar në Ukrainë ndonëse një numër i madh njerëzisht janë parë nëpër rrugët e qytetit për të gjetur një strehë që t’u mbrojë kokën. “Më falni, nuk dua të flas, shumë e vështirë situata, jam në Shqipëri tani, por dua të shkoj në Ukrainë”, tha ai për abcnews duke mos shpjeguar asgjë më shumë.

Rusia nisi në orët e para të mëngjesit pushtimin e Ukrainës me sulme që vinin nga jugu, lindja dhe veriu, nga toka dhe nga ajri. Raketa dhe bomba ranë nga qielli. Shpërthimet vijojnë të dëgjohen në të gjithë vendin nga të gjitha anët. Lufta sipas një zyrtari të mbrojtjes në SHBA është në fazën fillestare. Më shumë se 4 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë larguar deri më tani përtej kufirit nga Ukraina në Moldavi. Largime të tjera masive priten në vijim të kësaj lufte. Qeveria shqiptare ka ndezur dritën jeshile për nevojat e shprehura nga ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov i cili deklaroi se pas sulmit nga Rusia, ndaj autoriteteve shqiptare ka pasur një apel për ndihmë nga qeveria ukrainase, kryesisht me karburant.

Jo vetëm qeveria por dhimbjes së ukrainasve i janë bashkuar mijëra qytetarë. Para Ambasadës Ruse në Tiranë është zhvilluar një protestë paqësore nga qytetarë shqiptarë, ukrainas por edhe të kombeve të tjera. Me pankarta në duar kanë bërë thirrje për ndalimin e luftës. Protesta janë zhvilluar dhe në vende të tjera. Shumë protestues kundër luftës u mblodhën të enjten në mbrëmje në Moskë duke kundërshtuar ndërhyrjen ushtarake të vendit të tyre në Ukrainë. Protestuesit hodhën parulla kundër luftës dhe presidentit Vladimir Putin. Policia arrestoi disa demonstrues gjatë protestës. Sipas organizatës për të drejtat e njeriut OVD-Info, më shumë se 1,450 protestues në 51 qytete në të gjithë vendin janë arrestuar nga autoritetet ruse. Demonstratat u zhvilluan në vende të tilla si Shën Petersburg, Novosibirsk dhe Yekaterinburg. Vala e protestave është shpërndarë dhe në Paris.

Ndërkohë që shumë qytetarë i janë bashkuar ushtrisë për të luftuar, sulmi rus shkaktoi eksod masiv të ukrainasve. Banorët e Kievit braktisën shtëpitë për t’u larguar nga kryeqyteti kur dëgjuan sirenat e luftës dhe shpërthimet e bombave ruse. Mijëra qytetarë morën automjetet dhe gjithçka mundën të grumbullonin nga shtëpitë e tyre, duke krijuar radhë të gjata dhe bllokim të qarkullimit rrugor në rrugët dalëse. Të tjerë, duke tërhequr valixhet u dyndën në stacionet e autobusëve e trenave. Shumë qytetarë u dyndën edhe nëpër bankomatë për të tërhequr para, nga frika e kolapsit të sistemit bankar. Dyndje pati edhe drejt kufirit polak e vendeve më të afërta. Një destinacion do të jetë edhe Shqipëria.

/abcnews.al