Milan nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në “San Siro” përballë Sampdorias dhe tashmë të besuarit e Stefano Piolit i largohen akoma më shumë titullit. Ishte Jens Petter Hauge ai që shmangu humbjen për vendasit, falë atij golit të shënuar në minutat e fundit të sfidës. Në një prononcim për “Milan TV” pas ndeshjes, mesfushori komenton sfidën si dhe tregon se si po shkon aventura e tij me “Djallin”.
“Unë jam i lumtur për golin, ishte një gol i shkëlqyeshëm. Ne nuk fituam dhe për këtë arsye nuk jam plotësisht i lumtur. Megjithatë, një pikë është më mirë se asnjë. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë e të përmirësohemi. Kemi ende nëntë ndeshje për të luajtur dhe në lojë janë 27 pikë”, deklaron norvegjezi.
“Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. Objektivi ynë është i qartë, ta përfundojmë sezonin me të njëjtin ritëm që e filluam. Aventura ime këtu? Gjithçka po shkon mirë. Po përpiqem të përmirësohem çdo ditë si dhe po vazhdoj të mësoj gjuhën. Jam shumë i lumtur në Milano”, përfundon Hauge. /abcnews.al