Dushan Vlahovic është rikthyer menjëherë në “shpëtimtarin” e skuadrës së Juventusit, duke u bërë kështu edhe lideri i “Zonjës së Vjetër”.
Ndaj Empolit sulmuesi serb ishte protagonist kryesore në suksesin e bardheznjëve, duke e ndihmuar skuadrën të merrte 3 pikë të rëndësishme.
Dopieta e tij bëri diferencën në këtë takim, por Vlahovic i jep merita të gjithë skuadrës për paraqitjen e tij, ndërsa thekson se një individ nuk mund të mbajë peshën e skuadrës, por duhet gjithë grupi për të arritur rezultate.
“Këto tre pikë peshojnë shumë pasi vijmë nga dy barazime radhazi. Ishte shumë e rëndësishme të fitonim sot, ia dolëm dhe tani jemi me mendjen te ndeshja e radhës. Një individ nuk mund të dalë mbi skuadrën dhe gjithçka është meritë e skuadrës. Nëse ecim para të bashkuar dhe kompaktë, mund të arrijmë rezultate të mëdha.
Nuk isha mësuar me gjithë këtë situatë, por me mendjen në vendin e duhur, qetësinë, punën dhe përqendrimin, mund të bëhet gjithçka. Shokët e skuadrës, trajneri dhe të gjithë njerëzit më kanë ndihmuar shumë. I falënderoj shumë dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu”, tha lojtari pas duelit të sotëm, teksa u ngacmua edhe për luftën për titullin kampion.
“Titulli? Ne ecim ndeshje pas ndeshje, pastaj ajo që do të ndodhë, do të ndodhë.
Kthimi në Firence? Nuk di çfarë të them. Kam shumë ndjesi. Do të shkojmë atje dhe të luajmë ndeshjen. Siç e kam thënë, i falënderoj për gjithçka. Në Firence kam jetuar vite shumë të bukura. Sigurisht që i falënderoj”, tha sulmuesi serb i Juventusit. /f.a/abcnews.al