Shpëtim Duro është trajneri i ri i Kukësit

schedule16:00 - 24 Korrik, 2019

schedule 16:00 - 24 Korrik, 2019

Shpëtim Duro prezantohet nesër në orën 10:00 si trajner i Kukësit. Tekniku i njohur arriti akordin me presidentin Gjici, ndërsa do të firmosë një kontratë 1+1.

Nesër do të hedhë firmën e radhës.

Shpëtim Duro nis një tjetër aventurë në karrierën e tij si trajner, tashmë në stolin e Kukësit.

Tekniku 59-vjeçar arriti akordin me presidentin Safet Gjici, dhe nesër në orën 10:00 do të ketë daljen para mediave, me kontratën që pohohet se është 1-vjeçare, me të drejtë rinovimi për një vit tjetër.

Ai do të pasojë trajnerin e shkarkuar Ernest Gjoka që e mori skuadrën në mesin e sezonit të kaluar, duke fituar Kupën e Shqipërisë e duke u eliminuar në turin e parë të Ligës së Evropës nga Debreceni i Hungarisë.

Deri një ditë më parë, favorit për stolin ishte Ilir Daja, të paktën sipas burimeve të sigurta në klub, veçse duket se trajneri tjetër I njohur nuk ka arritur akordin me Gjicin.

Duro është një nga profesionistët me më shumë përvojë në Shqipëri, me karrierë edhe jashtë saj.

E nisi me Bylisin, Dinamon apo Apoloninë në fillim të viteve 2000-të, ndërsa ishte tri herë trajner i Partizanit në 2001-2002, 2008-2009 dhe 2013.

Në 2011 u emërua trajner i Skënderbeut, dhe pak muaj më vonë u shpall kampion me skuadrën korçare.

Përveç skuadrave në Shqipëri, drejtoi edhe jashtë kufijve si dy herë Shkëndijë e Tetovës në Maqedoni, sot Maqedonia e Veriut, dhe Dritën e Gjilanit në Kosovë.

Skuadra e fundit në Superligë për Duron ishte Flamurtari, dy sezone më parë, ndërsa për pak kohë punoi edhe si ndihmëstrajner i kombëtares./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!