Shpërthimi në Velipojë, Manastirliu viziton në spital nënën dhe tre fëmijët e plagosur: Situata kritike

schedule15:43 - 4 Korrik, 2021

schedule 15:43 - 4 Korrik, 2021

Situata për 40-vjeçaren Alketa Gjoka dhe tre fëmijët e saj të cilët kanë pësuar djegie nga shpërthimi i bombolave në hotelin e tyre në Velipojë vijon të mbetet tejet kritike. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu i ka vizituar ata këtë pasdite, në repartin e djegie-plastikës në QSUT. Manastirliu shprehet se mjekët dhe infermierët po bëjnë maksimumin për t’u kujdesur për ta duke i trajtuar me terapinë e plotë të mjekimit.

“Mjekët dhe infermierët në reanimacionin e repartit të Djegie-Plastikës në QSUT, po bëjnë maksimumin për t’u kujdesur për familjen e lënduar në ngjarjen e rëndë në Velipojë. Stafi ynë po bën më të mirën, duke e trajtuar nënën dhe fëmijët me terapinë e plotë të mjekimit, por situata mbetet tejet kritike”, shkruan ministrja.

Prof. Gjergji Belba, shef i shërbimit të Djegie-Plastikës, u shpreh se nëna me tre fëmijët kanë prognozë të rëndë dhe situata është jashtëzakonisht kritike, si pasojë e shkallës së rëndë të djegies që kanë pësuar.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e kësaj të diele në magazinën e hotelit ku nga fuqia janë shkatërruar i gjithë kati i parë i hotelit. Në hotel, në momentin e shpërthimit nuk ka pasur pushues, por kanë qenë vetëm anëtarët e familjes Gjoka, kryefamiljarja Alketa Gjoka dhe fëmijët e saj, Klarisa 15 vjeç, Danjela 19 vjeç dhe Enrik 12 vjeç. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!