Të paktën një person ka vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur nga një shpërthim në një pikë karburanti në Bukuresht të Rumanisë. Për shkak të zjarrit të madh, zyrtarët zbatuan një protokoll emergjence duke paralajmëruar njerëzit që të qëndrojnë larg zonës ku ka ndodhur ngjarja.
Sipas Radios Evropa e Lirë rumune, 33 persona u plagosën, shtatë nga shpërthimi i parë dhe 26 zjarrfikës pas një shpërthimi të dytë. Shpërthimi shkaktoi gjithashtu evakuimin e shtëpive private aty pranë, njëra prej të cilave mori flakë, tha kryebashkiaku Peter Florentin për transmetuesin Digi24.
“Shpërthimi që ndodhi sot në një stacion LPG në Crevedia të qarkut Dâmbovita, plagosi disa persona. Ndërhynë ekuipazhet e Shërbimeve të Ambulancës së Bukureshtit Ilfov dhe Dâmbovița dhe SMURD, të cilët ofruan ndihmë mjekësore urgjente dhe i transportuan të plagosurit në spitalet e urgjencës në kryeqytet: Floreasca, Universitar dhe Bagdasar Arseni.
Nga informacionet që kemi deri më tani ka pasur 7 të lënduar (4 prej tyre të intubuar) dhe një të vdekur. Shifrat janë provizore dhe ne do t’i përditësojmë pasi të dalin informacione të reja”, thuhet në deklaratën e dërguar nga Ministria./abcnews.al