Kundërofensiva ukrainase pritet të përshpejtojë ritmin pas nisjes së ngadaltë. Këtë e tha presidenti Volodymyr Zelensky, gjatë fjalës në forumin e sigurisë të ASPEN. Ai fajësoi mungesën e municioneve, dhe nisjen e vonuar të operacionit për progresin e ngadaltë në terren.
“Ne kishim në plan të fillonim kundërofensivën në pranverë, por nuk e bëmë dot pasi nuk kishim municione të mjaftueshme apo brigata të trajnuara siç duhet për përdorimin e armatimeve. Megjithatë, Ukraina po avancon në fushëbetejë, duke çliruar territoret e vete e duke ju afruar momentit kur kundërofensiva mund të përshpejtohet”, tha Zelensky.
Deklarata e Zelensky vjen pasi presidenti rus Vladimir Putin tha se perëndimi është i zhgënjyer me rezultatet e kundërofensivës ukrainase. Sakaq, disa shpërthime u raportuan në gadishullin e pushtuar të Krimesë. Sipas autoriteteve pro-ruse te gadishullit, forcat ukrainase kanë goditur me dronë një depo armësh në distriktin e Krasnogvardeiski, një aeroport dhe një cisternë nafte në fshatin e Oktyabrskoye. Qarkullimi i trenave dhe ai automobilistik në urën e Krimesë u pezulluan përkohësisht.
Vala e fundit e sulmeve kundër furnizimeve dhe infrastrukturës kritike të Rusisë në gadishullin e pushtuar, vjen pas shënjestrimit me dronë të një ure, që lidh Krimenë më Rusinë. Sipas Zelensky-t, ura është objektiv i forcave ukrainase dhe duhet neutralizuar në mënyrë që Moska të mos e përdorë për luftën. Ukraina, ndërkohë, bëri të ditur se 6 civilë ishin vrarë dhe 8 të tjerë kishin mbetur të plagosur si pasojë e bombardimeve ruse, në rajonin e Donjetsk.
/abcnews.al