Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, nuk është përmbajtur aspak pas barazimit 1-1 kundër Fiorentinës, duke fajësuar arbitrimin. “Jemi ne përgjegjësit për rezultatin, pasi e kishim ndeshjen në dorë. Ne bëmë gjithçka që duhej të bënim, por më pas nuk luajtëm më kur Fiorentina mbeti me 10 lojtarë”, tha Pioli fillimisht për DAZN.
“Jemi treguar të cekët dhe kemi bërë disa gabime. Penalltia nuk ishte, nuk kam dyshime për këtë. Mund ta shikoje që nga stoli se topi lëvizi pas ndërhyrjes së Romagnolit. Nuk e kuptoj pse nuk përdoret VAR-i në këto raste. Duhej të kishim fituar ndeshjen dhe ishim në kushtet ideale për ta bërë një gjë të tillë.
Unë besoja se VAR-i ndihmonte arbitrin për të marrë vendimin e duhur, por duket se nuk është kështu. E vështirë ta pranosh këtë rezultat, sepse kemi pasur disa episode të çuditshme kundër nesh në takimet e fundit. Siç thashë, ne kemi përgjegjësitë tona, sepse kemi bërë gabime, por nuk mund të bëjmë asgjë për të kontrolluar situata që nuk i kemi në dorë”, përfundoi Pioli./abcnews.al